Zbardhet tabela e paga ve për të zgjedhurit dhe punonjësit e administratës së pushtetit vendor. Niveli i pagave, për funksionarët e zgjedhur të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të vetëqeverisjes vendore për kryetarin e Bashkisë së Tiranës varion, nga 140 000-174 760 lekë në muaj dhe për nënkryetarin 130 000-140 000 lekë në muaj. Struktura e nivelit të pagave për nëpunësit civilë në bashkitë e tjera, janë, përkatësisht, sipas lidhjeve nr. 2, 3, 4, 5 e 6, në përputhje me numrin e banorëve për çdo bashki, që botohen të plota nga “Gazeta Shqiptare”.

Ndërsa, struktura dhe nivelet e pagave për nëpunësit civilë në këshillin e qarkut janë sipas lidhjes nr. 7, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Në kolonën e pagave është shtesa për vjetërsi në punë, e cila jepet në masën 2 për qind pas çdo viti pune, deri në 25 vjet, dhe llogaritet mbi pagën e grupit. Për efekt të llogaritjes së kësaj shtese, vite pune do të konsiderohen vjetërsia e përgjithshme në punë, e dokumentuar në librezën e punës së çdo punonjësi, me përjashtim të viteve të sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, shërbimit ushtarak, për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit të lartë, për femrat, si dhe periudha e trajtimit me pagesë papunësie.

SPECIALISTËT
Sipas vendimit të qeverisë që i nis efektet financiare që në 1 janar 2016, “Specialistët”, “Përgjegjësit e sektorit” apo “Drejtorët e drejtorive”, të cilët punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të administratës publike dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, diplomë universitare të nivelit “Master i shkencave”/”Master profesional”/ Bachelor” apo të barasvlershëm me ta, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “Inxhinieri elektronike”, “Inxhinieri informatike”, “Informatikë”, “Inxhinieri telekomunikacioni” apo “Shkenca kompjuterike”, përfitojnë një shtesë mbi pagë, në masën: 7 500 lekë në muaj, për nëpunësit e strukturave të TIK-ut, të Bashkisë Tiranë, të bashkive me mbi 400 000 banorë, të bashkive me 200 001-400 000 banorë dhe të bashkive me 100 001-200 000 banorë.

Ndërkohë që, këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore miratojnë pagat e punonjësve të njësive ekonomike dhe institucioneve të varësisë, me përjashtim të rasteve kur, me ligj, është parashikuar ndryshe, duke respektuar hierarkinë e pagave të nëpunësve apo punonjësve të bashkisë përkatëse. Në raste të veçanta, në bashkitë me deri në 20 000 banorë, kur, për mungesë kapacitetesh, ka punonjës që nuk kanë arsimin e lartë dhe punojnë në pozicione të nivelit ekzekutiv të shërbimit civil, pagat e tyre caktohen nga këshillat përkatës, në kufirin maksimal deri në 36 000 lekë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: