Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Shtetet e Bashkuara po synojnë të shpërndajnë “juridiksionin e tyre” në gjithë botën, derisa ka akuzuar Uashingtonin për rrezik të nisjes së luftërave tregtare dhe atyre të vërteta.


Putin i ka bërë këto komente të premten në Shën Petersburg, në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar, një konferencë vjetore që ai e shfrytëzon për përmirësim të imazhit të Rusisë dhe nxitje të investimeve.


Konferenca treditore, në të cilën ka marrë pjesë presidenti kinez, Xi Jinping, është injoruar nga ambasadori amerikan në Rusi, në shenjë proteste ndaj arrestimit të amerikanit, Michael Calvey, themelues i një kompanie investimesh me bazë në Moskë, nën akuza që nga kritikët konsiderohen të pabaza.


Putin ka folur pak kohë pasi, avokati i Calvey ka thënë, se amerikani, që është raportuar t’iu ketë kërkuar autoriteteve për zbatim të ligjit, ta lirojnë përkohësisht nga arresti shtëpiak, në mënyrë që të jetë pjesë e konferencës, nuk mund të marrë pjesë për “arsye që janë jashtë kontrollit të tij”.

Calvey e ka konsideruar fatkeq faktin që nuk mund të marrë pjesë, dhe ka falënderuar komunitetin e biznesit “për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar”, duke shprehur edhe shqetësim për katër kolegët e tij që janë në paraburgim.