Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy diskutuan të premten mbi mbështetjen e Uashingtonit për Kievin, sanksionet e reja të SHBA- së kundër Rusisë dhe forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, tha zoti Zelenskiy.

Në një postim në mediat sociale, Presidenti ukrainas falenderoi homologun Biden për mbështetjen e Uashingtonit në luftën gati trevjeçare të Ukrainës përballë Rusisë dhe për “rolin jetik që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur në bashkimin e komunitetit ndërkombëtar”.

Zoti Zelenskiy tha se presidentët diskutuan gjithashtu mbi sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara kundër industrisë ruse të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm “që ndihmon Putinin të financojë luftën”.

“Ai duhet të ndiejë koston e luftës”, shkroi presidenti ukrainas.

Zoti Zelenskiy tha se ai dhe Presidenti Biden diskutuan nevojën për të vazhduar forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës “për të mbrojtur ukrinasit nga nga terrori rus – sulmet e përditshme me raketa dhe dronë”.

Sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, të furnizuara nga SHBA-të “kanë dëshmuar efektivitetin e tyre dhe ne duhet të vazhdojmë ta përmirësojmë këtë kapacitet”, theksoi zoti Zelenskiy./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb