Rusia është gati për negociata me Volodymyr Zelensky, por vetëm nëse Presidenti ukrainas fiton zgjedhjet, tha Presidenti Vladimir Putin në një konferencë për mediat.
Udhëheqësi rus pretendoi se qeveria e Zelenskyt nuk ishte autoriteti legjitim në Ukrainë, sepse “kushtetuta e saj nuk lejon zgjatjen e mandatit të presidentit, edhe nën ligjin ushtarak”.
Mandati presidencial i Zelensky skadoi në maj dhe qeveria ukrainase ka premtuar të mbajë zgjedhje menjëherë pas përfundimit të luftës.
Putini u shfaq më entuziast për mundësinë e bisedimeve me Donald Trump, duke thënë se ai ishte i gatshëm të takonte presidentin e ardhshëm të SHBA, por se ende nuk ishin bërë plane.
Ai tha gjithashtu se Rusisë do t’i duhej të siguronte një “paqe afatgjatë” në Ukrainë pasi një armëpushim afatshkurtër “do t’i lejonte armikut të rifurnizohej”.
Pajisjet ushtarake të Ukrainës janë duke u “shteruar”, tha Putin, duke shtuar se forcat ruse po përparonin dhe “armiku nuk është në gjendje të mbajë pozicionet e tij”.
Ai tha se një vendim për nisjen e pushtimit duhej të ishte marrë më herët se shkurti i vitit 2022 dhe se Moska duhet të ishte përgatitur “sistematikisht” për të.
Në maj, Putin tha se skadimi i mandatit pesëvjeçar të Zelensky do të krijonte një pengesë ligjore nëse Rusia dhe Ukraina do të zhvillonin bisedime paqeje.
“Me kë të negocioj? Kjo nuk është një pyetje boshe… Sigurisht që ne e kuptojmë se legjitimiteti i kreut aktual të shtetit ka marrë fund”, tha ai.