Përfaqësuesit e Ukrainës dhe 32 anëtarë të NATO-s do të takohen sot në Bruksel pas sulmit të forcave ruse në qytetin ukrainas Dnipro me një raketë të re hipersonike.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se sulmi i ri raketor ishte në përgjigje të përdorimit të armëve amerikane dhe britanike nga Ukraina dhe paralajmëroi se Moska mund të synojë objektet ushtarake në vendet që mbështesin Kievin.
Udhëheqësi i Kremlinit paralajmëroi se Moska ndjen se “ka të drejtë” të synojë objektet ushtarake në vendet që lejojnë Ukrainën të përdorë armët e saj kundër Rusisë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti sulmin “përpjekja e fundit e çmendurisë ruse” dhe bëri thirrje për sisteme të përditësuara të mbrojtjes ajrore për t’iu përgjigjur kërcënimit të ri.
Kievi thotë se shpreson të marrë “rezultate konkrete dhe domethënëse” pas mbledhjes së sotme në Bruksel.
Megjithatë, diplomatët dhe zyrtarët e NATO-s ulën pritshmëritë për ndonjë rezultat domethënës nga konsultimet që do të mbahen pasditen e sotme në selinë e aleancës.
Ajo që pritet më së shumti është përsëritja e pretendimeve të mëparshme të NATO-s se vendosja e armëve të reja nga Moska nuk do t’i “ndalojë aleatët e NATO-s që të ofrojnë mbështetje për Ukrainën”.
Takimi “ofron një mundësi për të diskutuar situatën aktuale të sigurisë në Ukrainë dhe do të përfshijë video informime nga zyrtarët ukrainas,” tha zyrtari i NATO-s.