Presidenti rus Vladimir Putin ftoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe atë të Republika Srpska Milorad Dodik për të vizituar Moskën në maj të vitit të ardhshëm, kur do të shënohet 80-vjetori i fitores në Luftën e Dytë Botërore.

“Ju ftoj të merrni pjesë në festimet e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Madhe Patriotike, që do të mbahet në Moskë më 9 maj 2025”, tha Putin në ftesën drejtuar liderëve serbë.

Në ftesë, Putin theksoi se është i bindur se ruajtja e kujtimit të fitores së madhe do të forcojë vendosmërinë e përbashkët për të kundërshtuar çdo manifestim të neonazizmit dhe për të rritur bashkëpunimin konstruktiv për të garantuar paqen dhe sigurinë në planet.

Presidenti i entitetit boshnjak Republika Srpska Milorad Dodik u mburr sot në rrjetin X me ftesën e ardhur direkt nga Kremlini.

“Jam i nderuar dhe mirënjohës për ftesën e Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, për të marrë pjesë në ngjarjet ceremoniale me rastin e 80-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike, që do të mbahet në Moskë”, shkroi Dodik.

Kujtojmë se që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, Dodik është takuar disa herë me Presidentin e Rusisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb