Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se nëse Perëndimi transferon armë bërthamore në Ukrainë, Rusia do të përgjigjet me të gjitha armët në dispozicion.

Duke folur në një konferencë shtypi në kryeqytetin e Kazakistanit , Astana, Putin u zotua të parandalojë “shfaqjen” e armëve bërthamore në Ukrainë.

“Në këtë rast, ( Ukraina merr armë bërthamore nga Perëndimi), ne do të përdorim gjithçka, dua ta theksoj këtë, të gjitha mjetet e shkatërrimit në dispozicion të Rusisë. Kjo është ajo … ne nuk do ta lejojmë këtë,” u tha Putin gazetarëve, duke komentuar mbi veprimet e mundshme në të ardhmen nga Rusia nëse Kievi merr armë bërthamore.

“Ne nuk e përjashtojmë përdorimin e Oreshnik kundër objekteve ushtarake, ushtarako-industriale apo qendrave vendimmarrëse, përfshirë në Kiev”, tha Putin në një konferencë shtypi në kryeqytetin e Kazakistanit Astana.

“Autoritetet në Kiev sot vazhdojnë përpjekjet e tyre për të goditur objektet tona jetike, duke përfshirë Shën Petersburgun dhe Moskën”, shtoi Putin.

Sipas Moskës, raketa balistike me rreze të mesme veprimi mund të udhëtojë me një shpejtësi prej 10 Mach ose deri në tre kilometra (1.8 milje) në sekondë .

Në konferencën për shtyp të enjten, Putin tha se arma kishte fuqinë shkatërruese të një meteori.

” Ndikimi kinetik është i fuqishëm, si një meteor që bie. Ne e dimë në histori se çfarë meteorësh kanë rënë dhe cilat ishin pasojat. Ndonjëherë mjaftonte që të formoheshin liqene të tëra,” tha Putin.

Arma është “e krahasueshme në forcë me një sulm bërthamor” kur përdoret disa herë në të njëjtën kohë, shtoi shefi i Kremlinit , megjithëse ai tha se aktualisht nuk ishte e pajisur me një pajisje bërthamore.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb