Vladimir Putin ka lëshuar një dekret për shkarkimin e ambasadorit të Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov.
Urdhëri u botua në faqen e internetit të Qeverisë ruse.
Dekreti mban datën 10 tetor dhe është nënshkruar nga presidenti rus. Në urdhrin e publikuar nuk është dhënë asnjë arsye për shkarkimin dhe nuk thuhet se kush do të jetë zëvendësuesi i tij.
Agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti raportoi se Antonov ishte kthyer në Moskë të shtunën e kaluar.
Antonov kishte thënë në korrik se posti i tij ishte drejt përfundimit.
Kremlini kishte thënë të hënën se një ambasador i ri rus do të emërohej për të zëvendësuar, Antonov, 69 vjeç, i cili kishte qenë kreu i ambasadës ruse në Uashington që nga viti 2017, gjatë një kohe në të cilën marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit ishin përkeqësuar ndjeshëm.
Kur u pyet nëse largimi i Antonov sinjalizonte se marrëdhëniet e Moskës me Uashingtonin po përkeqësoheshin, Peskov u përgjigj, “jo, sigurisht që një ambasador do të emërohet në kohën e duhur,” raportoi Reuters.
Lindur në qytetin siberian të Omsk, Antonov ishte i specializuar në kontrollin e armëve bërthamore, kimike dhe biologjike. Ai shërbeu në Ministrinë e Punëve të Jashtme Sovjetike dhe më pas në Ministrinë e Punëve të Jashtme Ruse.
Në vitin 2004, ai u emërua drejtor i departamentit për sigurinë dhe çarmatimin përpara se të emërohej zëvendësministër i mbrojtjes midis 2011 dhe 2016. Para rolit të tij si ambasador në SHBA ai shërbeu si zëvendësministër i Jashtëm në dhjetor 2016.
Antonov ishte në qendër të një stuhie diplomatike pasi Presidenti i SHBA Joe Biden e quajti Putinin një “vrasës” dhe u thirr në Moskë më 17 mars 2021. Ai u kthye në Uashington, DC pas samitit Rusi-SHBA më vonë atë vit.
Vetëm disa ditë para fillimit të luftës në Ukrainë, ai mohoi se Rusia po planifikonte një pushtim të plotë. Një vit pas fillimit të luftës, ai tha se qeveria amerikane po përpiqej të “ushqejë krizën ukrainase” me akuzat se Moska po kryente krime kundër njerëzimit.
Në qershor 2024, ai i tha Newsweek se kishte nevojë “për një arkitekturë të re sigurie” në sistemin global. Ai gjithashtu pohoi se interesat e Rusisë janë “injoruar hapur, pasi dukej se nuk kishte alternativë ndaj dominimit të Shteteve të Bashkuara dhe satelitëve të saj të menjëhershëm”.