Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë sugjerimin e Vladimir Putin për një administratë të përkohshme në Ukrainë, një parakusht i presidentit rus për t’i dhënë fund luftës, ndërsa bisedimet e paqes vazhdojnë.

Putin ka kërkuar që Kievi të vendoset nën një administratë të përkohshme për të lejuar zgjedhje të reja dhe nënshkrimin e marrëveshjeve kyçe për të arritur një zgjidhje në luftë, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve këtë mëngjes.

Megjithatë, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë hodhi poshtë kërkesën e liderit të Kremlinit dhe tha se qeverisja në Ukrainë përcaktohet nga kushtetuta dhe populli i vendit.

Kjo vjen pasi Volodymyr Zelensky tha se SHBA po ndryshon vazhdimisht kushtet e një marrëveshjeje kryesore për mineralet si pjesë e marrëveshjes së paqes, duke shprehur zhgënjimin për mungesën e një marrëveshjeje përfundimtare mbi marrëveshjen e Ukrainës për tokat e rralla, të vendosur nga Uashingtoni.

Më herët, Emmanuel Macron njoftoi se një delegacion ushtarak britaniko-francez do të dërgohet në Ukrainë për të vëzhguar nevojat e Kievit dhe çfarë mund të bëhet për të mbështetur ushtrinë e tij dhe se trupat do të vendosen si një “forcë sigurie” për të mbështetur çdo marrëveshje të mundshme paqeje të rënë dakord me Rusinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb