Gjatë një takimi në Moskë me emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, presidenti rus Vladimir Putin bëri një deklaratë të fortë me tone të tërthorta kundër Turqisë, duke theksuar se “duan që Siria të mbetet një shtet i pavarur.”
Komenti vjen në një moment tensioni të shtuar rajonal, ku Ankaraja mbështet figura të reja të opozitës në Siri, përfshirë udhëheqësin xhihadist Ahmed al-Sara, i cili po përpiqet të përmbysë regjimin e presidentit Bashar al-Assad një aleat i ngushtë i Kremlinit.
Rusia, e cila mban baza ushtarake jetike në bregdetin sirian dhe ka luajtur një rol kyç në mbijetesën politike të Assadit që nga viti 2015, e konsideron çdo ndërhyrje të jashtme që cenon sovranitetin sirian si një akt armiqësor. Putin gjithashtu nënvizoi rëndësinë e diskutimit me Katarin mbi krizën në Lindjen e Mesme, veçanërisht konfliktin palestinezo-izraelit, ndërsa vlerësoi potencialin për bashkëpunim të zgjeruar ekonomik me Dohën.
Katarit i është njohur një rol i spikatur si ndërmjetësues në çështje ndërkombëtare, përfshirë konfliktin në Ukrainë, ku ka ndihmuar në koordinimin e kthimit të fëmijëve të zhvendosur gjatë luftës.
Ndërkohë, po të enjten pritet që Putin të zhvillojë një tjetër takim të rëndësishëm këtë herë me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi duke përforcuar më tej boshtin diplomatik Rusi-Iran në rajon, përballë lëvizjeve të Turqisë dhe aleatëve perëndimorë.
(BalkanWeb