Nga VASIL KURETA*

Zhvillimet ekonomike, sociale e politike në Rusi dhe qëndrimet ndaj proceseve rajonale e botërore paraqesin rëndësi të veçantë për shkak të globalizimit të marrëdhënieve të arritura deri më sot dhe rolit të saj në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në këtë kuadër, analiza për rolin e Putinit në qeverisjen e Rusisë dhe fati i së ardhmes politike të tij paraqesin interes politik e gjeostrategjik. Kjo, për faktin se me qeverisjen e tij autoritare apo me dorë të fortë, me sjelljet, veprimet dhe rolin në vendimmarrjet e rëndësishme ndaj zhvillimeve të brendshme e ndërkombëtare ka kontributin e tij të padiskutueshëm. Roli i tij afekton fizionominë e Rusisë, por afekton dhe përmbajtjen e marrëdhënieve ndërkombëtare e vetë sistemin e tyre. Roli i individit në histori është shumë i rëndësishëm.  Ai, me qëndrimet e veprimet e tij, me rolin në vendimmarrjet e rëndësishme kontribuon në ecurinë e procesit historik në një vend të caktuar në drejtim progresiv ose regresiv, pozitiv ose negativ, zhvillues apo pengues. Për vlerësimin e drejtë të këtij roli, tashmë sociologjia ka definuar principe, kritere e një metodologji shkencore, të cilat shërbejnë për çdo rast konkret, pra edhe për rastin Putin. Është e vërtetë që vlerësimin konkret të rolit të tij dhe një gjykim kompleks për të e vendimmarrës ka të drejtë ta bëjë populli i vet. Megjithatë, analizat shkencore, pa subjektivizma, njëanshmëri e paragjykime të gjithfarëllojshme kanë rëndësinë e vlerën e veçantë të tyre, madje dhe për një gjykim të drejtë nga populli rus. Kur Jelcini vendosi të dorëhiqej, duke e vlerësuar të përmbushur rolin e tij në të ardhmen e Rusisë, zgjodhi pa mëdyshje Putinin si pasues të tij, duke e porositur të punonte për Rusinë. Rusia ishte në një gjendje ekonomike e sociale të vështirë, me probleme të mprehta dhe natyrisht, pa ndonjë rol domethënës në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Është fakt se roli i Putinit në ecurinë e Rusisë dhe mbështetja për të brenda vendit ka ndjekur ecurinë e ngritjes, zhvillimit dhe konsolidimit ekonomik e politik të saj. Ngritja e zhvillimi ekonomik e social i Rusisë dhe rritja e rolit të saj në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, pas rrëzimit të komunizmit e shpërbërjes së BS ka formësuar, përcaktuar dhe forcuar rolin e mbështetjen e Putinit brenda vendit. Sigurimi i një rritjeje ekonomike të qëndrueshme në ekonominë ruse të llojit të kapitalizmit shtetëror dhe qëndrueshmëria që tregoi ky model përballë krizës ekonomike botërore ishin bonuse të rëndësishme për Putinin, për rritjen e mbështetjes për të, por edhe për ravijëzimin e një roli të ri të Rusisë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Putini u angazhua maksimalisht në synimin për t’i rritur rolin Rusisë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke punuar me intensitet, hapur dhe fshehur, për formësimin dhe kompletimin e strategjisë për shndërrimin e Rusisë në një superfuqi botërore. Ai, duke e parë me realizëm gjendjen dhe mundësinë e Rusisë, ofroi fillimisht rolin e konstruktivit, e bashkëpunuesit me aktorët e rëndësishëm në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët, siç tregoi koha, e besuan për të vërtetë këtë taktikë të Putinit, që ua lehtësoi shumë punën edhe synimeve strategjike të tij. Duke u alternuar në postin e presidentit e të kryeministrit, përfshi këtu dhe ndryshimet kushtetuese, Putini punoi për arritjen e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë ruse, për forcimin e ushtrisë përmes shpenzimeve në rritje ushtarake, për plotësimin e standardeve të nevojshme për strategjinë e superfuqisë, për rritjen e rolit të Rusisë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Këtu është çelësi i atij pushteti të fortë, i rritjes së rolit të tij përmes centralizimit të pushtetit e zvogëlimit lehtësisht të hapësirave të demokracisë, të lirive e të drejtave të njeriut, i sigurimit të mbështetjes në nivel të lartë brenda vendit. Rusët, të zhgënjyer maksimalisht pas rrëzimit të komunizmit e shpërbërjes së BS, gjithçka bëri e bënte Putini e vlerësuan si kthim të lavdisë e të rolit të Rusisë në zhvillimet botërore. Arma e nacionalizmit patriotik u tregua shumë e dobishme për qeverisjen e Putinit. Që nga dorëzimi i pushtetit Putinit nga Jelcini e deri te fillimi krizës ukrainase e fillimi i krizës ekonomike, roli i Putinit ndoqi një trajektore gjithnjë në rritje e me përmasa tronditëse. Nëse mund të perifrazoj Majakovskin, do të shprehesha se Rusia e Putini krijuan një simbiozë, sa mund të thuash se kur themi Rusia nënkuptojmë Putini dhe kur themi Putini nënkuptojmë Rusia. Nuk ka rastësi të pastër në këtë dukuri ruse. As Jelcini nuk e përzgjodhi rastësisht atë, por dhe Putini kishte predispozitat, eksperiencën dhe aftësitë përkatëse. Roli i Putinit ishte në ngjitje deri në aneksimin e Krimesë dhe shpërthimin e krizës ukrainase, sepse ishte krijuar bindja se procesi i shndërrimit në superfuqi botërore kishte gjetur njeriun e duhur.  Putini i besoi shumë fuqisë së pushtetit, mbivlerësoi së tepërmi rrugën autokratike e të prepotencës dhe të aplikimit të dhunës në arritjen e objektivave kryesore të strategjisë së superfuqisë botërore. Me sa duket, Putini nxitoi shumë në arritjen e objektivave të superfuqisë, për arsyet që i di ai dhe grupi i tij. Kjo ecuri e rritjes së rolit dhe pushtetit të Putinit brenda vendit ka etapat e saj, siç do të ketë dhe fundin e saj, që ndodh në çdo proces historik, kur misioni konsiderohet i përfunduar apo kur elementët thelbësorë, që e ushqyen atë dëmtohen rëndë, dobësohen, apo humbin vlerën e tyre. Putini vazhdon të ketë mbështetje maksimale, siç dëshmojnë sondazhet e kryera, sepse i dha siguri procesit që dëshironin rusët në shumicën e tyre. Për këto arsye Putini është votuar në përqindje të lartë. Tash që kriza ekonomike ka trokitur, kur rubla është zhvlerësuar jashtëzakonisht shumë, kur do të shfaqen efektet e saj në uljen e nivelit të jetesës, në rritjen e papunësisë etj., Putini do të jetë në një provë të vërtetë e të vështirë. Në fakt, kjo provë ka filluar. Situata të tilla konsumojnë pushtete e role, por Putini tash për tash dëshmon se nuk ka ndërmend të dorëzohet. Ai, duke e kuptuar rëndimin e situatës, nxitoi ta marrë përsëri në dorë atë, ta menaxhojë e kontrollojë rreptësisht. Në këtë linjë ai deklaroi se shkaku kryesor i krizës është armiku i jashtëm, janë sanksionet e vendeve perëndimore, që duan të pengojnë rritjen e rolit të Rusisë. Që të bëhej i besueshëm pohoi se ishin bërë dhe gabime të brendshme, sidomos në drejtim të mosdivestifikimit të ekonomisë. Pra, situata e rëndë u krijua nga armiqtë e jashtëm dhe gabimet e brendshme në drejtimin e ekonomisë. Përcaktoi apo deklaroi një periudhë dyvjeçare të nevojshme për ta përballuar këtë krizë, me qëllim që të ruante besimin për të dhe t’i japë vetes kohë e hapësirë të manovrojë në këtë zhvillim të pakëndshëm për të. Dhe duke përkëdhelur ndjenjat e mentalitetet ruse të mosdorëzimit përpara armikut, nënvizoi ekzistencën e burimeve të domosdoshme brenda vendit për ta përballuar krizën dhe mbështetjen në forcat e veta. Në përputhje me ecurinë e krizës ekonomike nuk përjashtohet mundësia që Putini të deklarojë dhe armiq të brendshëm. Kjo është në logjikën e drejtuesve me dorë të fortë. Në fakt, ai e ka lënë shtegun hapur, teksa ka bërë fjalë edhe për gabime në mosdivestifikimn e ekonomisë. Kjo mund të ndodhë kur ta vlerësojë të domosdoshme. Në linjën e përballimit të krizës, Putini u bëri thirrje biznesmenëve që kishin nxjerrë paratë jashtë vendit, t’i kthejnë në vend, duke i amnistuar ato, dmth., duke moskontrolluar burimet e sigurimit të tyre. Me këtë qëndrim, në një farë mënyre Putini kërkoi kohë, kërkoi ta mbajë sa më larg rrezikun ndaj pushtetit të tij personal. Ai, me sa duket e ka kuptuar lindjen e një kontradikte reale me popullin e vet, e cila do të jetë nën ndikimin direkt të ecurisë së krizës ekonomike. Megjithatë, pavarësisht nga manovrimet, Putini tashmë është përballë popullit të vet dhe krizës ekonomike në një sprovë tepër të vështirë. Tash për tash Putini ndjen një presion në rritje të atyre që quhen oligarkë apo biznesmenë të fuqishëm,  prandaj dhe i thirri ata në bashkëpunim dhe u ofroi amnisti. Putini po përpiqet maksimalisht të ruajë qetësinë dhe fshehë shqetësimin, që të duket i sigurtë dhe si njeriu që ka zgjidhjen e mundshme e të duhur. Ai ka shumë kujdes në daljet publike e deklaratat që bën, që të ruajë autoritetin dhe pushtetin. Në funksion të një normaliteti janë dhe informacionet për jetën e tij personale apo se mund të jetë martuar me atë sportisten e re. Ky detaj personal duhet të jetë gatuar për ta vënë në funksion të idesë se ai nuk ndjen as presion e as shqetësim, apo se nuk i kanoset ndonjë rrezik Rusisë sa ta drejtojë ai. Në kushtet aktuale, kur kriza sapo ka filluar të ndjehet dhe sidomos kur nuk ka një opozitë politike serioze e të fortë, apo ndonjë alternativë sfiduese bindëse, Putini shihet akoma si njeriu i duhur për të përballuar situatën, por e nesërmja e tij mund të mos jetë e sigurtë. Rusia është një rast konkret, që përmes një procesi demokratik zgjedhjesh ka sanksionuar një drejtim autokratik. Putini në proces i ka ngushtuar hapësirën demokracisë në Rusi dhe është toleruar nga populli, duke e parë atë si drejtues të fortë e të sigurtë. Kjo histori apo përvojë është e njohur tashmë, por zgjidhja reale e kontradiktës popull-pushtet autokratik ndjek një logjikë konkrete. Ajo që gërryen marrëdhënien e krijuar është kriza ekonomike e ecuria e saj. Putini po përpiqet të mbajë nën kontroll krizën, duke përdorur gjerësisht të gjitha levat e mundësitë e shtetit. Megjithatë, ndikimi në rritje i sanksioneve ekonomike, vetë problematika kontradiktore që e karakterizon modelin e kapitalizmit shtetëror, ulja e çmimit të naftës dhe kriza energjetike e shkaktuar prej saj etj., bëjnë presion të madh mbi ecurinë e ekonomisë ruse. Banka qendrore ruse ka bërë përpjekje dëshpëruese të ndalojë rënien e shpejtë e të thellë të rublës, duke bërë manovrat e mundshme të njohura, por pa sukses. Kjo situatë do të krijojë probleme me inflacionin dhe kështu me radhë një reaksion zinxhir në elementët e tjerë ekonomikë e financiarë, duke prishur të gjithë ekuilibrat e nevojshëm. Kjo situatë shkarkon direkt në nivelin e jetesës, zgjerim të papunësisë dhe acarim të problemeve sociale. Kjo problematikë nuk mund të ndalohet me deklarata e stile patriotike të Putinit. Putini ka qenë shumë i dashuruar pas strategjisë së superfuqisë që i ka krijuar mendimin se nuk mund të dështoje kurrë, se do të jetë kurdoherë fitues. Mënyra se si ka reaguar deri tani Putini tregon se nuk ka qenë i përgatitur apo nuk ka pasur ndonjë strategji kundërshtuese ndaj reagimit të vendeve perëndimore, sidomos ndaj strategjisë së sanksioneve ekonomike. Tash duket se po e kupton rrezikimin e pushtetit personal, sepse është i qartë vetëm kur tund kartën e fuqisë ushtarake të Rusisë e të armëve bërthamore, shoqëruar me gogolizimin e SHBA-ve dhe vendeve të BE-së. Putini përpiqet kështu që këtë ta propagandojë si kërcënim ndaj Rusisë, që nuk është e vërtetë. Me sa duket, pushtetin e Putinit e kanë rrethuar turbulenca jo të lehta. Putini rrezikohet nga brenda vendit, nga populli i tij. Edhe pse opozita politike në Rusi është e dobët, falë dhe goditjeve sistematike që i ka bërë pushteti i Putinit, e ardhmja e opozitës është fuqizimi e qartësimi politik i saj. Për këtë ndikon dhe përdorimi i dorës së fortë nga Putini. Ai ka shtypur çdo zë kundërshtues e kritik dhe me shumë lehtësi i ka futur në burg kundërshtarët politikë, siç bëri së fundmi dhe me zërin e fundit Aleksandër Navalni. Megjithatë, Putini nuk do ta ketë fare të lehtë punën me opozitën politike, e cila tashmë flet hapur për pushtetin e Putinit si një regjim që nuk ka të drejtë të ekzistojë. Nëse kjo ide formësohet e zhvillohet më tej dhe sidomos bëhet pronë e shumë njerëzve, e opozitës popullore dhe jo vetëm e disa opozitarëve apo oligarkëve të izoluar, pushteti i Putinit mund të shkurorëzohet më shpejt se sa mund të mendohet. Ata që cilësohen në Rusi si oligarkë, kur shohin se u kërcënohen bizneset dhe fitimet e tyre mund ta orientojnë ose nxisin Putinin në aventura të rrezikshme, por edhe mund të vendosin zëvendësimin e tij me njeriun e përshtatshëm për ta.  Disa analistë i referohen vitit 2016 për faktin se do të jenë zgjedhjet për Dumën ruse. Mendohet se elita ruse këtë kohë do ta përdorë si analizë për mënyrën se si do të veprojë Putini, që të vendosë ta mbështesë apo ta ndëshkojë atë me votë. Kjo është vërtet rruga demokratike, por në rastet e qeverisjeve autokratike me dorë të fortë, problemi ndërlikohet. Historia dëshmon se njerëzit që qeverisin me dorë të fortë nuk largohen lehtë e nuk vetëdorëzohen. Madje, historia dëshmon se jetëgjatësia dhe mbështetja e madhe u krijojnë mundësinë se vazhdimi i mëtejshëm është në dobi të popullit dhe vendit të vet. Ata janë larguar edhe në rrugë demokratike, por edhe në rrugë jodemokratike. Në Rusi, Putini e ka goditur rëndë dhe ka asfiksuar frymën demokratike, mendimin dhe lëvizjen demokratike. Në fakt, askush nuk mund të jetë i saktë në parashikime, por nuk mund të harrohet historia e përvoja e Rusisë me drejtuesit më të lartë të saj. Prapa mureve të Kremlinit fshihen shumë përvoja të fshehta, mistere, skenarë, veprime, metoda në luftën për pushtet dhe mënyra largimi të drejtuesve të pushtetshëm që nga Stalini, Hrushovi, Gorbaçovi etj. Aktualisht pushteti i Putinit shfaqet stabël dhe i mbështetur, por askush nuk mund të dijë se çfarë po ndodh prapa mureve të Kremlinit. Sot mund të ketë shumë që dëshirojnë që Putini të mos jetë në krye të Rusisë. Kuptohet, jo thjesht për arsye personale, por për drejtimin e Rusisë në një rrugë që e konfronton me Perëndimin. Por çfarë do të zgjidhte kjo? A mund të frenohej kështu ecuria e Rusisë dhe sjellja e saj si superfuqi botërore? Natyrisht që jo. Rusia nuk mund të kthehet prapa dhe askush nuk mund ta ndalojë në këtë ambicie strategjike. Tash ajo që duhet bërë është definimi i standarteve të komunikimit dhe bashkëpunimit me Rusinë si superfuqi.  Nëse ndodh që Putini largohet, atëherë një rus tjetër do të udhëhiqte drejtimin e këtij procesi. Natyrisht, mund të sillte ndryshime në intensitetin e këtij procesi, ndoshta edhe në disa taktika, por kurrsesi nuk mund të ndryshonte kursin e Rusisë si strategji botërore, sepse ky kurs nuk është pronë e Putinit. Ai ka kontributin e tij të pamohueshëm në sendërtimin e avancimin e saj, por nuk mund të mendohet se largimi i tij do të zgjidhte kontradiktën mes Rusisë dhe Perëndimit. Vetëm naivët do ta besonin këtë.

(os.de/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: