Mongolia është në një situatë ku varet shumë nga energjia ruse, gjë që e ka bërë të vështirë arrestimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, me urdhër të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) në lidhje me krimet e luftës në Ukrainë, ka thënë të martën zëdhënësi i qeverisë mongole.

“Mongolia importon 95 për qind të produkteve të naftës dhe më shumë se 20 për qind të energjisë elektrike nga fqinjët tanë të afërt Rusia dhe Kina… Këto furnizime janë thelbësore për mbijetesën dhe ekzistencën e popullit tonë”, ka thënë zëdhënësi për “Politicon”.

Sipas zëdhënësit, Mongolia “ka ndjekur gjithmonë politikë neutraliteti në të gjitha marrëdhëniet diplomatike”.

Zëdhënësi i qeverisë mongole deklaroi gjithashtu se vizita e Putinit në Mongoli “korrespondon me precedentin historik të përkujtimit të përbashkët të përvjetorit të fitores së trupave sovjetike dhe mongole mbi Japoninë në Betejën e Halkin Gol në vitin 1939”.

Presidenti rus Vladimir Putin u takua sot në Ulaanbaatar (kryeqyteti i Mongolisë) me homologun mongol. Ishte vizita e parë e Putinit në një shtet anëtar të GJNP-së që kur Gjykata lëshoi urdhërarrest për të vitin e kaluar.

Mongolia e ka ratifikuar Statutin e Romës dhe supozohet se duhej ta arrestonte liderin rus me urdhër të GJNP-së.

Në mars 2023, Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë lëshoi urdhëarrest për Putinin me dyshimin për dëbim të paligjshëm të fëmijëve dhe transferim të paligjshëm të ukrainasve në Rusi.

Në prag të vizitës së Putinit në Mongoli, Gjykata Ndërkombëtare Penale njoftoi se vendi është i detyruar të përmbushë kërkesat e saj.

Mongolia, një vend i madh prej 3.3 milionë banorësh, ndodhet në një pozitë të vështirë gjeografike pa dalje në det, mes superfuqive Rusisë dhe Kinës.

Gjatë vizitës, Putini ftoi presidentin mongol Uhnagin Hurelsukh në samitin e BRICS që do të mbahet në Rusi në tetor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: