Presidenti rus Vladimir Putin ka firmosur një dekret të ri për zgjerimin e forcave të armatosura të vendit me rreth 15.500 efektivë, në një tjetër rritje të kapaciteteve ushtarake të Moskës në kushtet e luftës në Ukrainë.

Sipas dokumentit të firmosur nga Putin, numri i përgjithshëm i personelit të autorizuar të forcave të armatosura ruse arrin në 2.441.630 persona, prej të cilëve 1.550.500 janë personel ushtarak. Ky është vendimi i katërt gjatë këtij viti që parashikon rritjen e strukturës së ushtrisë ruse.

Me shtesën e fundit, numri i trupave ushtarake të autorizuara nga Moska është rritur me gjithsej 47.860 persona që prej muajit mars. Kremlini nuk ka dhënë një shpjegim të drejtpërdrejtë për arsyet e këtij zgjerimi.

Vendimi vjen ndërkohë që lufta në Ukrainë vijon të shkaktojë humbje të konsiderueshme në të dyja palët. Përparimi i forcave ruse në front është ngadalësuar gjatë këtij viti, ndërsa përdorimi masiv i dronëve ka kufizuar lëvizjen e njësive të mëdha ushtarake. Në javët e fundit janë raportuar gjithashtu avancime të trupave ukrainase në disa zona të frontit.

Rritja e numrit të trupave ka rikthyer diskutimet për mundësinë e një mobilizimi të ri në Rusi. Mobilizimi i fundit i pjesshëm u shpall nga Putin në shtator 2022, pas vështirësive të forcave ruse në fushën e betejës, dhe dekreti përkatës vazhdon të jetë në fuqi.

Në muajin gusht, inteligjenca ukrainase pretendoi se Rusia synon të rekrutojë deri në 300 mijë persona gjatë këtij viti për t’i dërguar në front, ndërsa një objektiv i ngjashëm mund të ndiqet edhe vitin e ardhshëm. Paralelisht, disa analistë kanë ngritur dyshime se Moska mund të përgatitet për një valë të re mobilizimi gjatë vjeshtës.

Putin i ka cilësuar më herët këto pretendime si të pavërteta, ndërsa Kremlini ka deklaruar se nevojat e ushtrisë po mbulohen përmes rekrutimit të ushtarëve me kontratë dhe vullnetarëve. Analistë të pavarur, megjithatë, argumentojnë se ritmi i rekrutimit të vullnetarëve është në rënie, pavarësisht incentivave të larta financiare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: