TIRANË

Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, që kandidon për tjetër mandat për bashkinë më të madhe në vend Erion Veliaj foli edhe për vendimin e presidentit Ilir Meta për të shtyrë datën e zgjedhjeve.

Veliaj iu drejtua Metës në një moment me nofkën “plaku Mere”, ndërsa më tej ka shtuar se “çfarë faji ka populli që t’iu shkojë pas presidentit Ilir Meta, kreut demokrat Basha, ish-kryeministrit Berisha” etj. Sipas tij, shqiptarët e kanë të qartë se më datë 30 qershor duhet të votojnë Partinë Socialiste.

“Pyetje ime për presidentin, për plakun Mere, është: nëse nuk kontrolloni dot partitë tuaja, çfarë halli ka gjithë populli që të ketë hallet tuaja? Ne në fakt nuk duam as sherr, edhe fondin e fushatës do e çojmë në ndihmë të familjeve në Floq. Siç na i ka dhënë lekët KQZ, do i çojmë te Fondi i Emergjencave. Mjafton numri 2 për mandatin për lali Erin dhe numrin 30 për PS.

Fakti se kam numrin 2,tregon se është edhe një tjetër kandidat e ai është Arben Skënderi, nga e djathta. Do të thotë se kush ka dashur të garojë, ka hyrë. Më 30 qershor përveç PS, janë edhe parti të tjera, siç ka në Amerikë, ku ka Parti Laburiste, ka Parti Komuniste etj. Nuk bëjmë pazar për datën 30 për 30 vitet e ikura. Ne do të punojmë për Baldushkun, për Tiranën. Më datën 30 qershor secili merr me vete shokët, kolegët, komshinjtë, të PD, të LSI, se ka vetëm një parti që nuk ka tradhtuar votuesit dhe ajo është Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha Veliaj.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb