NGA RUDINA SATA*


-Që pas 23 qershorit 2013, qeveria aktuale ka ndërmmarrë shumë reforma, për të bërë të mundur të gjitha ato premtime të cilat ju z.Rama dhe partia juaj i bëtë elektoratit gjatë kohës kur ishit në opozitë. Ajo që më ka rënë në sy dhe ka ngelur jo vetëm në memorien time por të mbarë shoqërisë sonë, ishte sidomos ‘diagnoza’ që ju i bëtë gjendjes aktuale të shtetit dhe individit duke e thënë me të madhe: FAJIN NUK E KA INDIVIDI, por SIS-TEMI. Ishte pikërisht ky SISTEM i kalbur që trashëguam (shpreheshit Ju), që ne sot kemi këtë sistem drejtësie të korruptuar, sistem arsimor e shëndetësor të korruptuar etj. E morëm vesh që fajin e ka sistemi, por nisur nga ngjarjet aktuale dhe ‘performanca’ juaj si qeveri, nuk kam arritur dot të kuptoj se: cili është (për ju) modeli i ri i këtij sistemi? Cila është filozofia e këtij sistemi kur ju shpreheni se do bëjmë një “shtet ligjor”?


Për fat të keq ngjarjet aktuale nuk po tregojnë atë çka ju trumbetoni me të madhe! Pra të gjitha këto reforma që qeveria po ndërmerr, nuk po i mbështet në filozofinë dhe vullnetin për të pasur një shtet reformues ligjor dhe ‘demokraci funksionale’, por po përkujdeset për të instaluar përditë e më shumë “shtetin policor”. Një fakt që tregoi qartë performancën e qeverisë prepotente, arrogante, hakmarrëse dhe dhunuese si ndaj individit, ashtu dhe ndaj ligjit, është ajo që të gjithë e mbajnë mend fare mirë se çfarë ndodhi me artistët e TKOB. Ministria e Kulturës para pak kohësh realizoi të ashtuquajturën “Reforma në Art & Kulturë”. Madje, Ministrja e Kulturës në emisionin “SHQIP” shprehu vendosmërinë për bërjen e kësaj reforme, duke u shprehur “O sot, o kurrë”. Po ndaj kujt e bëri këtë “betim”? Ndaj jush zoti Rama (sigurisht). Sepse me sa po shoh, vërtet ju ka mbetur sahati në vitin 1999 kur ishit ministër i Kulturës. U vërsulët ndaj artistëve të kombit, sepse dihet raporti ndërmjet artistëve dhe ish-ministrit të Kulturës (Kryeministri aktual). Tani që u bëtë Kryeministër jeni më i fortë dhe i keni të gjitha potencialet për t’u hakmarrë ndaj nesh!


Pse e them ‘hakmarrje’: sepse po të ishte reformë (siç pretendoni), së pari do të bënit një “Ligj të ri për Artin Skenik”, duke i qëndruar logjikës se: Ligji është pjesë themelore e sistemit! Pra, pa ligj nuk ka sistem, në të kundërt do të ketë kaos dhe anarshi. Po ku është ligji i ri? Nuk ka! Po si mund të bëhet një reformë kur nuk ka ligj të ri, sepse fakti që nuk keni bërë do të thotë që ky ligj është në rregull.

Unë pajtohem me JU vetëm kur shikoj vullnetin politik tuajin që me anë të ligjeve të garantohen: A) institucione të depolitizuara (mendoni se janë të depolitizuara)? Fakti që sipas ligjit aktual titullarin e institucionit e miraton dhe e shkarkon Kryeministri s’ka nevojë për koment!; B) ndarje dhe autonomi pushtetesh (edhe këtu as që bëhet fjalë, mjafton të përmendim faktin që edhe Drejtori Artistik zgjidhet nga titullari, për të mos e analizuar se mbi cilat kritere erdhi, e jo më të pretendosh për platformë artistike); C) luftë kundër nepotizmit e klientelizmit (faktet tregojnë të kundërtën); D) luftë kundër korrupsionit etj.

Bashkë me JU për të bërë ndryshimin e madh (shpreheshit Ju gjatë fushatës elektorale). Populli e bëri të veten, ju votëbesoi, por koha tregoi se këtë partneritet, ju e donit vetëm sa të bëheshit Kryeministër dhe pastaj reformat i bëtë vetë. Në një kohë kur kultura europiane na ka treguar se në një sistem demokratik qeverisjeje do të thotë vendimmarrje kole-gjiale, për fat të keq po shohim atë unilateral! Pra nuk kemi një sistem demokratik por një sistem monokratik. Më lejoni t’ju kujtoj se ç’thotë Kriedberg-u: Ne jetojmë në kulturën e gënjeshtërt, ashtu siç ngjala jeton në llumin e kënetës. Besoj se i rri për shtat situatës aktuale, apo jo?!

Mjafton të analizojmë si u bë në opera, ku reforma u bë me dhunë e jo me dëshirë, u orientua jo nga ligji, por nga Maliqi (siç thotë populli). I detyruat artistët që të firmosnin kontrata jashtë vullnetit të tyre, e për më tepër në kundërshtim me Kodin e Punës, që është një dispozitë e miratuar me ľ e Parlamentit. Mjafton te lexoni nenet 12, 140, 149 etj. Për mua kjo ishte një “kanibalizëm ligjor”, sepse të bësh reformë me kërcënime, dhunë, presione, duke i kërcënuar artistët “o firmosi kontratat individuale, ose nuk keni rroga” vetëm një regjim diktatorial mund ta ketë kurajën. A mund ta di se ku e kishte fuqinë ligjore titullari i Operës me Drejtoreshën Artistike kur kërcënuan artistët se: Kush nuk firmos kontratën, vendet e punës dalin vakant? E dimë shumë mirë se si e shpërfytyroi, e depersonalizoi dhe e denatyroi regjimi komunist individin me anë të forcës së pushtetit. Po tani në 2014?

Vetëm tek ne ndodh që një titullar të bëhet konstitucionalist (hartues ligjesh, ndërsa jashtë shtetit titullari është vetëm ekzekutuesi i ligjeve!) Pa mendoni për një çast sikur mbas një viti Ilir Kerni të shkarkohet nga Ju dhe drejtori tjetër t’u thotë artistëve: Ju do firmosni kontrata 1-vjeçare! Kush e ndalon? Askush. Kjo është tallje me sovranin.

Ju kujtohet i nderuar se si ankoheshit në fushatë duke thënë: administrata shtetërore është kthyer në mitingasher të pushtetit…! Po tani që erdhët JU, si e kuruat këtë fenomen? Përkundrazi, e thelluat. Ky ka qenë dhe shqetësimi im kur i kam shkruajtur Ambasadorit Amerikan në lidhje me rëndësinë që ka kontrata e punës, sepse aty pushteti abuzon ndaj individit. Përse nuk keni forcë dhe kurajë që të ndani pushtetet? Pushtetin ekzekutiv ta ketë komuniteti dhe jo parti-pushteti? Konkretisht, drejtori artistik të jetë “produkt i komunitetit” dhe të zgjidhet me votë! Pra pyetja është: Si mund të mbrohet individi nga “influenca politike” dhe pushteti i frikshëm i titullarit?

Sipas ligjit, titullari e fut në punë, ai i cakton nivelin e pagës (siç ua uli pagën disa solistëve duke e çuar nga kategoria e 10-të në të 8-ën pa kurrfarë kriteri), apo siç uli në Sektorin e Korit. Ai e heq nga puna, siç hoqi njerëz nga administrata, apo kur pushoi koreografin Arian Sukniqi. Përse nuk e pranoni kulturën e të qenit në partnership, ku përfshihet komuniteti si pjesë integrale e politikëbërjes institucionale? Ju thoni se ‘do rrisim nivelin profesional dhe do bëjmë testime’, por kjo nuk është gjë tjetër vetëm operacioni fshesa! Mendoj se kultura demokratike është që: Qeveria jep orientimet dhe vetë komuniteti ekzekuton procesin. Kjo bën të mundur që të kemi një produkt artistik dhe jo një produkt politik. Ky është sistemi demokratik. Ju kujtohet fare mirë besoj, mesazhi im gjatë kohës së protestave kur ju kujtoja Sokratin: Rreziku nuk vjen nga reagimi i të mençurit, por nga heshtja e injorantit.

I nderuar z.Kryeministër, mendoj se duhet t’i referoheni Monteskjesë kur shprehet: Virtyti në politikë është arsyeja, ndërkohë që mungesa e saj është burimi dhe streha e ligësisë. Pra mungojnë parimet, vlerat, dëshira për të parë, dëgjuar, prekur dhe ndjerë. Nuk mund të ketë reforma të suksesshme kur atyre u mungojnë morali dhe ndërgjegjja dhe vendin e tyre e zë dhuna dhe prepotenca.

Një qeveri që nuk jep llogari nuk ka si të kërkojë llogari. Komuniteti artistik e dha verdiktin e tij me mosdakordësinë ndaj reformës suaj si dhe shkarkimin e titullarit të TKOB me anë të një peticioni të firmosur nga 129 artistë. A do ta dëgjoni dhe respektoni verdiktin e tij?
Një pyetje, Z.Kryeministër: keni premtuar se do të shtoni 1200 policë; mos ndoshta keni planifikuar se do të ngrini dhe strukturën e Policisë Artistike?
“Pasuritë dhe kapitalet e një kombi janë të pavlera kur shpirti i njeriut është i varfër dhe i dhunuar” – A.Lincoln
*Korist