Partia Demokratike vë në dispozicion një pjesë të pyetje-përgjigjeve në gjyqin e sotëm për çështjen e ashtuquajtur “Babalja” mes Fredi Alizotit dhe avokatit Ledio Braho.


Sipas PD, janë ‘5 kundërthëniet kyçe të dëshmitarit të rremë Fredi Alizoti në gjyqin me Ervin Salianjin’.


Alizoti u mor sot në pyetje ku deklaroi se nëse do të kishte marr paratë e premtuara për rolin e Agron Xhafajt nuk do të kishte bërë kallëzim penal.


E PLOTË

FREDI ALIZOTI GËNJEN PËR KOHËN E KRYERJES SË PËRGJIMIT NGA ALBERT VELIU ME AGRON XHAFAJ, I CILI, SIÇ DËSHMOJNË DOKUMENTAT NGA PROKURORIA E KRIMEVE TË RËNDA, ËSHTË KRYER NË TETOR.

Fredi Alizoti: Nga fillimi i janarit e vendosëm. Realizimin e detyrës e kishte marrë ai (Albert Veliu) përsipër, po kishte frikë ta bënte me njerëzit e gruas, se mos i dilnin llafe në Vlorë, e merrte vesh Agroni dhe e vriste.
Fredi Alizoti gënjen për njohjen mes Agron Xhafës dhe Albert Veliut. Tabulatet telefonike dhe dëshmia e Agron Xhafajt provojnë njohjen mes tyre

Avokat Ledio Braho: A njihej realisht Albert Veliu me Agron Xhafën?

Fredi Alizoti: Jo, me sa di unë vetëm numrin e telefonit i kishte, nuk kishte lidhje.

Fredi Alizoti gënjen për takimin. Nuk ka pasur kurrë kontakt me Salianjin apo Gazment Bardhin.

Avokat Ledio Braho: E ke takuar ndonjëherë Ervin Salianjin? Ne çfare kushtesh jeni takuar dhe ka pasur bisede mes jush? Pra nuk te ka thene gje per 200,000€?

Fredi Alizoti: E kam takuar te Partia Demokratike, ka qënë së bashku me Gazment Bardhin, thjesht ça bën si kalove, si i ke nga shtëpia. S’kemi biseduar ndonjë herë për lekët, s’më ka thënë asgjë.

Kundërthënie e Fredi Alizotit me deklaratën për njohjen me Ervin Salianjin.

Avokat Ledio Braho: Personalisht a ke biseduar ndonjëherë me Salianjin qofte dhe me telefon? Nëse ke telefonuar Taulant Ballen, si është e mundur që nuk e ke telefonuar asnjëherë Salianjin që supozohet që ishte dhe në borxh kundrejt teje e për më tepër nuk rezulton që të kesh kërkuar as numrin e tij të telefonit?

Fredi Alizoti: E kam telefonuar, po nuk ma ka hapur.

Avokat Ledio Braho: Pas regjistrimit të bisedës, çfarë veprimesh keni kryer? I bie ka qenë data 16 janar 2018 sipas jush. Rreth çfarë ore keni shkuar tek selia e PD që Albert Veliu ka takuar Ervin Salianjin?

Fredi Alizoti: Kam ardhur në Tiranë, po nuk e mbaj mend mirë, nga pasditja, dhe kemi shkuar në selinë e PD. Unë kam ndenjur në lokalin e PD. Unë personalisht s’e kam takuar ndonjëherë Ervin Salianjin. (Ka përplasje me deklarimet e mëparshme ku ka deklaruar që atë ditë ai ka shkuar në Fier, kurse Albert Veliu ka qëndruar në Vlorë)

Gjykata nuk lejon Fredi Alizotin të përgjigjet për Taulant Ballën dhe disa episode të tjera për njohjen me Ballën.

Avokat Ledio Braho: Si ka mundësi që ju nuk keni kërkuar paratë në Janar kur pretendoni se bëtë regjistrimin? Si ka mundësi që s’ka asnjë kontakt mes jush dhe PD gjatë kësaj periudhe por vetëm pasi ke telefonuar nr. e Taulant Ballës ke folur në cel për “aktrimin”?”

Gjykatësi nuk lejon Fredi Alizotin të përgjigjet.

Avokat Ledio Braho:  Nëse emrin e Taulant Ballës e përmendje vetëm për të vënë në lëvizje përfaqësuesit e PD për të marrë shumën e premtuar, pse e ke kërkuar numrin e Taulantit dhe pse e ke marrë dhjetëra herë në telefon përpara takimit në selinë e PD ku dhe je regjistruar duke pranuar që kishe marrë para nga Taulant Balla?

Fredi Alizoti: E kërkova numrin e Taulant Ballës për mbrojtje se ndjehesha i rrezikuar, vetëm ai më shkoi në mend.

Avokat Ledio Braho: Deri në momentin që bërë telefonatën te 129 kur dhe u rrëfeve për rolin si aktor në audio përgjim, ka pasur persona të tjerë që kanë qenë në dijeni të këtij fakti?

Fredi Alizoti: Asnjëri, përveç shokut tim nga Elbasani që e përmenda dhe në seancën e kaluar (personi është Çelik Biba, që sipas Alizotit, ka qenë dhe ndërmjetësi me Ballën)

PËRGJIGJE TË TJERA INTERESANTE NGA SEANCA GJYQËSORE

Avokat Ledio Braho: Pasi audio përgjimi u bë publik, ishit kurioz për të ndjekur ecurinë e fatit të Agron Xhafës e vëllait të tij Fatmir Xhafa dhe vetë çështjes së audio përgjimit në përgjithësi? Kryeministrin Edi Rama (në datën 16.05.2018) e keni dëgjuar kur bëri deklaratën se zëri tjetër nuk ishte ai i Agron Xhafës, por i një aktori?

Fredi Alizoti: S’e kam dëgjuar fare, me tetë klasë shkollë jam unë.

Avokat Ledio Braho: Cili është shefi i madh që ke takuar ti dhe kërkoje ta takoje sërish?

Fredi Alizoti: Për Ardi Veliun e kisha, drejtorin e përgjithshëm.

Avokat Ledio Braho: Ti ke deklaruar me zë dhe me figurë se në një moment të ka marrë me makinë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu dhe të ka dërguar te një kafe pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda ku je takuar me Taulant Ballën, vendndodhje kjo që përputhet edhe me vendbanimin e Taulant Ballës gjatë kësaj periudhe. Po ashtu telefonatat e tua në drejtim të Taulant Ballës që janë dhjetëra, janë bërë para datës 01.06.2018 dhe ndërkohë në fillim të qershorit 2018, në lidhje me takimin me Ardi Veliun dhe Taulant Ballën, ke deklaruar se “po, ore më vdekshin të dy pleqtë po të betohem që është e vërtetë”, “po ore, po vlla. Ore unë po të them kështu tani. Po ju betohem edhe një herë më vdekshin ça kam në shtëpi, në ju gënjej”, “unë s’të gënjej vlla”, “po ka ardhë ore, se më vjen shumëkeq, po betohem për pleqtë”, “unë s’ju gënjej ore”, “ore mos të gjej ça kam në shpi. Unë u habita o vlla”. Si e shpjegon që data e takimit me Ardi Veliun dhe Taulant Ballën përputhet edhe me datën që je rrëfyer në lidhje me faktin që ke qenë ti zëri i Agron Xhafës?

Fredi Alizoti: Këto muhabete i kam bërë me Sali Lushën;

Avokat Ledio Braho: Jo, i ke bërë me Florenc Hoxhën në Qershor, pasi ke komunikuar me Ballên;

Fredi Alizoti: E kam bërë për t’i nxitur, i kam thënë me qëllim që t’i nxisja t’i vija në lëvizje;

Avokat Ledio Braho: Domethënë kanë qënë të vërteta takimi me Ardi Veliun dhe Taulant Ballën afër banesës së tij;

Fredi Alizoti: – Jo jo, nuk jam takuar ndonjëherë, kanë qënë thjesht për t’i nxitur, këtë kisha qëllim.

Avokat Ledio Braho: Pra në njërin nga rastet ke gënjyer. Po numrin e Taulantit ku e gjete?

Fredi Alizoti: Numrin e Taulantit ja kam marrë një shokut tim nga Elbasani, isha në rrezik nga PD, nga Ervin Salianji dhe nga njerëzit e tij të PD;

Avokat Ledio Braho: Të kanë kërcënuar ndonjëherë?

Fredi Alizoti: Jo, e mendoja unë se jam i zgjuar, ndihesha i rrezikuar;

Avokat Ledio Braho: Telefonatat e tua ndaj Taulant Ballës kanë ndodhur një javë më parë se të regjistroheshe të video në PD, nga se ndiheshe i kërcënuar dhe përpara se të bëje rrëfimin në polici?

Fredi Alizoti: – E dinin krahu tjetër, e morën vesh të gjithë;

Avokat Ledio Braho: Citove disa herë se ke bërë 18 vite burg deri tani. Për çfarë veprash je dënuar me parë?

Fredi Alizoti: S’të jap shpjegime o vlla. (e ndërpreu gjykata pyetjen)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb