LIBRAZHD- Moti i keq ka sjellë bllokimin e Qafë-Thanës nga bora, ndërsa dhjetëra qytetarë kanë telefonuar në News24 për ndihmë. Ata kanë bërë të ditur se mes personave të bllokuar ka gra dhe fëmijë, ndërsa është krijuar një radhë me automjete.


Ndërkohë mes personave të bllokuar ndodhet edhe një grua me një fëmijë të porsalindur. Sipas raportimeve Qafë-Thana është bllokuar prej disa orësh. Edhe në Peshkopi mësohet se ka rrugë të bllokuara për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Qytetarët kanë treguar për News24 se ende nuk ka asnjë mjet për pastrimin e rrugëve.


Ora 18:50- Bëhet e ditur se rreth 40 makina në Qafë-Priskë janë të bllokuar nga bora. Po kështu mësohet se prej 3 orësh në aksin Peshkopi-Maqellarë, ndodhen të bllokuara dhjetëra mjete.


Ndërkohë pas apelit në News24, drejt Qafë-Thanës janë nisur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe Forcat Speciale nga Tirana, të cilat do të ndihmojnë personat e bllokuar.
Dhjetëra qytetarë të bllokuar në Qafë-Thanë telefonuan në News24 për të kërkuar ndihmë.

Për shkak të dëborës, bëhet e ditur se në Korçë nga fshati Çërravë deri në Sovjan, rruga është e pakalueshme. Raportohet se nuk ka ndërhyrje nga borëpastrueset.

(m.k/BalkanWeb)