Qantas, kompania ajrore australiane ka realizuar sot eksperimentin e dytë, pas më pak se një muaj, për të ‘kolauduar’ një tjetër fluturim rekord tregtar nonstop.

Pas New York-Sydney, muajin e kaluar, këtë herë bëhet fjalë për fluturimin nga Londra drejt Sydney, me një kohë zgjatje prej rreth 19 orësh.

Një Boeing 787-9 Dreamliner, i pagëzuar me emrin ‘Longreach’, është nisur këtë mëngjes me orën 6:00 ora lokale (ora 7:00 me orën tonë) nga aeroporti londinez i Heathrow me rreth 50 persona në bord (përfshirë edhe katër pilotë) dhe duhet të mbërrijë në Sydney pak para mesditës së nesërme.

Gjatë fluturimit pasagjerët do ju nënshtrohen një serie testesh, për të monitoruar ritmin e gjumit, lëvizjet, konsumin e ushqimit dhe përdorimin e sistemeve argëtuese.
Parashikohen gjithashtu edhe teste për pilotët. Të dhënat e mbledhura do të jenë pjesë e informacioneve që Qantas do të përdorë, për t’i kërkuar autoriteteve australiane lejen, për të kryer fluturime vajtje-ardhje Londër-Syndey dhe New York-Sydney brenda 2022.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb