Në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në News24 u trajtua edhe një çështje e ndjeshme ajo e të pastrehëve. Të pastrehët në Shqipëri janë të shumtë. Vetëm në Tiranë sipas statistikave numërohen 14 mije persona të cilët kanë plotësuar formularët si të pastrehë ndërsa llogariten rreth 50 endacakë që ushqehen në mensat e bashkisë Tiranë. Të shtyrë nga varfëria, skamja dhe pamundësia për të pasur një punë,  shumë njerëz janë të detyruar të lypin çdo ditë rrugëve. Një nga këta është edhe Agroni 65 vjeç. Ai është i pastrehë, hera e fundit që kishte një çati mbi krye ishte në moshën 12-vjeçare. Ai nuk ka zgjedhur që të lypë, por jeton me ato ҫka vetë njerëzit i dhurojnë. Natën e kalon në një tunel, poshtë shkalleve të pallatit të Kongreseve, ku i ftohti gjatë dimrit shpesh herë bëhet i papërballueshëm për të.

“Para një jave kam qenë pothuajse duke vdekur, më hipën një palë të dridhura sikur më zinte korrenti, nuk e di si kam shpëtuar”, thotë Agroni.

Agroni ka nevojë për një strehë të ngrohtë. Asgjë më tepër, të vdes atje brenda të paktën, jo këtu jashtë, shprehet ai kur e pyesim. Si Agroni ka shumë të tjerë, të cilët ditën lypin dhe natën e kalojnë në ndonjë cep pallati, në rrugë, në stolat e parkut apo diku gjetkë, nën shi e të ftohtë.

“Nëna është pa fëmijë. Jam me qira, s’kam shtëpi. Jam njeri pa njeri. Paguaj qiranë ndaj lyp rrugëve. Paguaj 60 mijë lekë për qiranë. Nga e keqja dal. S’kam njeri të më ndihmojë. Burri më vdiq nga astma dhe e shita shtëpinë të paguaja varrimin. Unë kam nevojë vetëm për shtëpinë dhe ndonjë çik ushqim”, tha një e moshuar, ndërsa Elvis Naçi i premtoi se do t’i ketë pranë për çdo gjë duke i paguar qiranë dhe duke i sjellë ushqim çdo ditë. “Do jetosh si princeshë”, i tha ai me humor.

Panelistët kanë zbuluar se Elvisi dhe Sidrit gatuan pikërisht për të pastrehët.  Të gjithë ushqimet e gatuara, Elvisi dhe Sidrit ua shpërndanë atyre rrugëve të Tiranës. Elvis Naçi së bashku me Sidritin kanë dëgjuar nga afër edhe historitë e tyre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb