Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se ka kontakte të pandërprera me ambasadat e vendeve perëndimore, përfshirë edhe ambasadën amerikane, teksa SHBA e ka shpallur non grata.
I pyetur nga gazetarët, ai u shpreh se me ambasadën amerikane kontaktet janë periodike dhe normale që pas largimit të ambasadores Yuri Kim, të cilën Berisha e konsideroi më të korruptuarën.
“Mund tu pohoj se me cdo ambasadë të vendeve perëndimore, kontaktet, takimet, bisedimet e PD kanë qenë të pandërprera dhe të vazhdueshme. Kjo parti është e hapur, për përfaqësuesit e të gjitha vendeve demokratike. Me ambasadën amerikane pas largimit të Yuri Kim nga Shqipëria që do hyjë në analet e diplomacisë si ambasadorja më e korruptuar që ka shkelur në tokën shqiptare, pas Romana Vlahutin, kontaktet tona kanë qenë do të thosha periodike, normale”, tha Berisha.