Nga: Raimonda SHUNDI

Rasim Koldashi nga Ujmishti i Kukësit ishte çdo ditë përballë komisariatit, deri në momentin e lajmeve për lirimin e djemve kuksianë. 86 vjeç, i gjatë dhe me vështrimin drejt, sapo afrohem për t’i marr një opinion për situatën tregon bashkëpunim dhe gjatë gjithë bisedës më përsërit- “A e shikon apo e dëgjon kryeministri këtë që po i them??

Unë jam me shumë shpresë se kryeministri ynë do ta zgjidhë situatën, pasi shihet se po e trajton më ndryshe problemin. Kam djalin këtu, thotë Rasimi dhe në këmbët e tij shoh një torbë plot, vetëm me bukë. Ai ka bërë një gabim, jo faj .. gabimi është i lehtë, faji është i rëndë dhe dënohet, por në situata të tilla edhe mund të ndodhë. Apo jo?! Ne nuk tërhiqemi, por të fundit nuk mund ta them. Më thotë këtë frazë dhe përpiqet të më korrigjoje se mos keqkuptohem dhe dalim në përfundime të etiketimeve si “Vandal”… por jo të fundit, korrigjon. Ne nuk tërhiqemi, pasi ajo puna e abonese është një rrenë.Rama duhet t’i vërë gishtin kokës dhe të mos tallet me ne. Qëndron sërish drejt, me sheh e rithotë – Por, a ja çon ti këto që unë thashë atij???? – Natyrisht, e sigurova. Edi Rama nuk më njeh, por unë që sot jam 86 vjeç ulem me mpranue, ulem n’bith në zyrë e në tavolinë me të, e ja tregoj hallet e Kukësit siç ato janë.

Çfarë do t’i thuash konkretisht Ramës?- ndërhyj unë. Do ti them se: 1-Rruga e Kukësit u shkurtue që ne shkonim në të gjitha vendet. 2- Dhe tjetra, kur ti vej terenin mund të vesh tatimin, jo sot në këtë kohë. Një kuksian nga Tirana shkon 15 herë, e unë 15 herë nuk do paguaj, nuk mund ta përballoj dot xhepi këtë gjë. Ajo puna e abonesë është rrenë. Abonenë kuksiani nuk e pranon! Se ai nuk mund të pajisi dot gjithë Kukësin me abone. Mund të pajisë 10, 15 vetë, por jo të gjithë… jo joooo. Ai do me i kobit, por ne nuk kobitna. Nëse unë si i moshuar që jam të ulem me të, ja them tamam. Ai mund të vëri një tra, por tatim nuk duhet të vej. Nëse Rama do të çohet një natë e të thotë se unë dua të më shkojë e imja, se ai po deshi e bën se ka forcën, policinë ushtrinë. Por nëse ai ulet me ne dhe bën atë që është më e mira e jona … Ai është në terezi. Por, në këtë situatë, ai akoma nuk është në terezi. Pastaj u përkul, mori torbën plot me bukë thatë dhe me shpresën se mund të takonte të birin, u drejtua nga dera e komisariatit. – Të fala djalit dhe daltë sa me shpejt. I fola nga larg. Ai u kthye dhe me një trishtim që i shkëlqente ne sy, hapi gojën dhe tha: -veç ai i madhi e di. U largova me shpresën se kryeministri do të mund t’ja dëgjojë pikëllimin dhe trishtimin këtij malësori.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: