Nga: Abedin Kaja*

BERAT- Elena Uznova është një vajzë e re që është diplomuar për Trashëgimi Kulturore në UT. Prej një viti ajo punon si Specialiste e Trashëgimisë Kulturore në Muzeun Etnografik në Berat. Dashuria për profesionin dhe trashëgiminë kulturore e kanë bërë atë jo vetëm një ëndërrimtare, por edhe këmbëngulëse në kërkim të projekteve për promovimin e trashëgimisë së qytetit të Beratit. Ditët e fundit ajo është pjesë e një projekti të rëndësishëm që financohet nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me mbështetje të Kryeministrisë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ajo thotë se është duke finalizuar projektin “Evidentimi, promovimi, katalogim, i artizanëve në faqen ueb, si dhe krijimi mundësive për shitjen e produkteve online”. Projekti është përqendruar në 4 qytete: Shkodër, Berat, Gjirokastër dhe Krujë. Ideator dhe fitues i projektit është Admir Daca dhe koordinatore për qytetin e Beratit Specialistja e Trashëgimisë Kulturore, Elena Uznova. Sipas saj puna ka nisur në muajin tetor 2015 dhe do vazhdoj edhe në muajt në vijim, ku pas përfundimit të fazës së parë janë parashtruar ide për një fazë tjetër zhvillimi që është shitja online e produkteve, gjë e cila varet nga gjetja e fondeve.
Kush janë objektivat tuaja për evidentimin e vlerave të trashëgimisë kulturore?
Disa nga objektivat tona janë evidentimi i artizanëve në qytetin e Beratit duke u bazuar në disa kritere në përputhje me trashëgiminë kulturore, promovimi i punëve të artizanëve në faqen web si dhe orientimi i artizanëve për të krijuar një riorganizim të punës së tyre nëpërmjet aksesimit në web.
Si do të realizohet ky projekt?
Realizmi i projektit është përqendruar në disa faza zhvillimi. Faza e parë konsiston në studimin e terrenit, gjetja dhe krijimi i kontakteve me artizanët e qytetit. Gjatë kësaj faze u studiua zanafilla e ushtrimit të profesionit dhe më pas u bë klasifikimi i punëve duke përzgjedhur elemente të cilat bënin trashëgimi. Gjithashtu u realizua dhe një marrëveshje bashkëpunimi me artizanët. Pjesa më e madhe e tyre ishin tërësisht dakord me idetë e parashtruara nga projekti. Faza e dytë është lokalizimi i ambienteve ku artizanët zhvillojnë veprimtari dhe fotografimi i punëve. Përgjatë dy muajve janë evidentuar 9 artizanë kryesisht drugdhendës të elementeve dekorues, me pamje të pjesëve historike të qytetit, punime dekoruese me grep, punime suveniresh me gjilpëre dhe ruaza, punime bakri, bronzi (kazanxhi), punime me qëndisje, punime druri kryesisht tavane dekorues, argjendarë, punime me thupra punime me broden, samarxhi, kovaç. Faza e tretë do të jetë vendosja e fotove në web, dhe postimi në faqen e “Facebook” “Art City Albania”, duke i shoqëruar të gjitha materialet me tekstin përkatës.
Çfarë keni konstatuar gjatë këtyre fazave?
Të gjithë artizanët kanë shfaqur dëshirën për bashkëpunim, për ata ka qenë me shumë interes dhe pozitivitet ideja e promocionit në ueb pasi e kanë parë si një mundësi ndihme ndaj vështirësive që përballen. Është hera e parë që artizanët promovohen në rrjete sociale. Personalisht kanë qenë mospërfillës ndaj promocionit online, për arsye kjo ndërgjegjësimi apo orientimi. Një pjesë e artizanëve duke mos pasur treg shitje e kanë braktisur profesionin, kurse disa të tjerë vazhdojnë të mbajnë traditën gjallë në kushte të vështira duke u përballur me rreziqe qoftë ato ambientale, apo taksa të papërballueshme krahasuar me shitjen e produktit. Së fundmi mund të theksoj që kjo nisëm do të sjellë mjaft gjëra pozitive në të mirë të artizanëve. Ata do të jenë më të përkrahur, më të njohur, pra jo jashtë vëmendjes qoftë nga autoritetet apo individë të tjerë.
Si po e realizoni lidhjen me të shkuarën?
Gjatë punës në terren kam vënë re që një pjesë e zejeve janë trashëguar nga periudha mesjetare në ditët e sotme. Më parë zejtaria ka qenë dega kryesore e zhvillimit ekonomik në qytetin e Beratit. Ndër zejet e vjetra që janë të trashëguara ndër breza do të veçoja: Kazanxhinjtë, aktualisht (Edmond Dhembi), kovaçët aktualisht familja (Sharavolli), punimi samarëve, aktualisht (Gjergji Tiko), gurskalitës aktualisht (Xhorxhi Fani), punimi shportave prej thupre aktualisht (Lili&Vasil Sylari).
A keni parashikuar edhe aktivitete promovuese?
Në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Muzeve Berat. Në muajin janar është parashikuar të organizohet në ambientet e muzeut Etnografik një ekspozitë mbi punën e artizanëve. Synimi i këtij aktiviteti është qasja e të shkuarës me të tashmen, duke bërë një ballafaqim midis koleksioneve të muzeut me punën e artizanëve. Vlerësimi i vlerave artistike dhe orientimi artizanëve në tregun e punës.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: