Qefini i Torinos, besohet nga shumë njerëz se është pëlhura e përgjakur, me të cilën u mbulua Jezusi i Nazaretit pas kryqëzimit të tij. Por, skeptikët thonë se bëhet fjalë për një falsifikim, ose në rastin më të mirë për një relike fetare me rëndësi historike. Por, çfarë mund të na tregojnë kërkimet moderne?


Qefini i Torinos, një pëlhurë e endur me një ngjyrë të zbehtë, rreth 4.5 metra e gjatë, mund të konsiderohet e pavënë re, për shkak të shenjave të dallueshme kuqalashe në ngjyrë kafe para dhe pas. Imazhi i një njeriu me duart e mbledhura mund të shquhet në pëlhurë, me pamjen e përparme dhe të pasme të kokës, që puthiten në mënyrë të rregullt në mes të përlhurës.


Plagët e panumërta e të tmerrshme në trup, zbulohen përmes imazheve në pëlhurë. Ato imazhe tregojnë provat e kryqëzimit dhe përshkrimit biblik të vdekjes së Jezusit. Por shkenca dhe historia, sugjerojnë se ka shumë histori të asaj ngjarje. Të dhënat historike, e vendosin qefinin në fundin e shekullit XIII-të.


Studiuesit debatojnë mbi ekzistencën e tij para vitit 1390, duke e përshkruar periudhën para kësaj date, si një “terren shumë i zymtë”. Edhe gjatë epokës së Mesjetës kishte mosmarrëveshje mbi origjinalitetin e pëlhurës, me pretendimet e zyrtarëve të kishës, që sugjeronin se ai ishte një falsifikim.

Megjithatë, historianët ngrenë mundësinë që në atë kohë ishin krijuar disa “qefinë”, dhe pretendimet për falsifikim mund të mos kishin të bënin me pëlhurën e gjetur në kohët e sotme, në katedralen e Torinos, Itali. Që nga shekulli XV-të, ekzistenca e atij qefini është e mirë-dokumentuar.

Ajo u dërgua në Shtëpinë e Savojave në Itali në vitin 1453, dhe pësoi dëmtime nga një zjarr i rënë në pallat. Qefini ka pësuar me kalimin e kohës restaurime. Ai u vendos brenda një kishëze në shekullin XVII-të, por 200 vjet më pas, ajo u shfaq për publikun dhe u fotografua për herë të parë.

Disa të krishterë besojnë se, imazhi u transferua nga trupi i Jezusit mbi rroba, përmes një çlirimi të “dritës hyjnore”, ose energji pas ringjalljes së tij. Në qoftë se kjo do të ishte e vërtetë, qefini i vdekjes që mbështolli trupin e Jezusit historik të Nazaretit, tregon se përlhura datonte në vitin 33 Pas Krishtit, data biblike e vdekjes së Jezusit.

Megjithatë, kjo datë vjen në kundërshtim me rekordet e mëvonshme historike, si dhe me hulumtimin shkencor modern mbi qefinin. Mbi të janë kryer një sërë testimesh, që kur shkencëtarët u lejuan ta analizonin atë në vitin 1969, duke përfshirë ekzaminimet fizike, analizat kimike dhe të dhënat e radiokarbonit.

Provimet fillestare, çuan në formimin e një Komisioni prej 11 anëtarësh në Torino, i përbërë nga shkencëtarë dhe këshilltarë, dhe në vitin 1977 lindi Projekti i Kërkimit mbi Qefinin e Torinos (STURP). Gjetjet e tyre, u bazuan në një mori testesh rigoroze, u publikuan në vitin 1981, duke deklaruar:

”Për momentin, ne mund të arrijmë në përfundimin se imazhi i qefinit, është ai i një forme të vërtetë njerëzore të një njeriu të kryqëzuar, që nuk është produkti i ndonjë artisti. Imazhi, është një mister i vazhdueshëm, dhe derisa të bëhen studime të mëtejshme kimike, ndoshta nga ky grup shkencëtarësh, ose ndoshta nga disa shkencëtarë në të ardhmen, problemi mbetet i pazgjidhur”.

Studiuesit nuk gjetën asnjë shenjë të pigmenteve artificiale, ç`ka do të thotë që imazhi ishte krijuar nga një trup i vërtetë njerëzor, por çështja se si ndodhi kjo nuk mori përgjigje. Radiokarboni 14 në pëlhurë, përcaktoi se i përket viteve 1260-1390, një zbulim i bujshëm, dhe që bie në kundërshtim me afatet kohore të vdekjes së Jezusit.

Por, kritikët e këtij testi pohuan se mostrat e pëlhurës që u testuan, erdhën nga arna më të reja, në vend të përlurës origjinale. Dhe në vitin 1998 zyra e ish-Kryepeshkopit të Torinos, Anastasio Balestrero, lëshoi ​​një deklaratë duke theksuar, se data e përftuar nga testi i radiokarbonit, ishte gatuar në një “komplot masonik jashtë shtetit”.

Ndërkohë, studiuesit italianë në vitin 2015, zbuluan se pëlhura mund të jetë prodhuar në Indi, dhe përmban ADN nga e gjithë bota. Duke renditur sekuencat e ADN-së nga pluhura dhe poleni në qefin, janë zbuluar origjinat e njerëzve, dhe llojet e mjediseve me të cilat ka rënë në kontakt qefini.

Të dhënat tregojnë së pëlhura, mund të jetë prodhuar në Indi, dhe ka udhëtuar nëpër botë para se të vinte në Itali, në periudhën e Mesjetës, duke shkaktuar dyshime rreth një origjine europiane mesjetare. Llojet e bimëve të zbuluara nga sekuenca e ADN-së, tregojnë se ajo mund ta ketë origjinën nga Azia, Lindja e Mesme ose Amerika.

Qefini i Torinos, u analizua edhe një herë në vitin 2018. Këtë herë, hetuesit mjeko-ligjorë përdorën një qasje të re, për të shqyrtuar njollat ​​e dyshuara të gjakut në qefin. Mateo Borrini i Universitetit Xhon Mur dhe Luixhi Garlaskell, vendosën të bëjnë një eksperiment për të parë nëse qefini është në fakt i falsifikuar.

Ata përdorën një teknikë mjeko-ligjore, të quajtur analiza e modelit të gjakut (BPA), për të parë se si duhej të ishte pozicioni i duhur i krahut dhe i trupit, për të hartuar modelin sesi shpërndahet gjaku në qefinin e Torinos. Për ekspertimentin, u regjistrua një vullnetar. Gjaku i njeriut dhe ai sintetik u përdorën ndaj personit, që pozoi në vende të ndryshme mbi një pëlhurë.

Pastaj modelet e spërkatjes së gjakut të marra në eksperimenti, u krahasuan me atë që është përshkruar në qefin. Rezultatet sugjerojnë se Qefini i Torinos, është gati me siguri një vepër e falsifikuar. Hulumtimet e fundit, tregojnë se Qefini i Torinos, ka të ngjarë të jetë një nga reliket e shumta fetare të rreme të prodhuara në Evropën mesjetare.

Por Borrini, thotë se statusi i qefinit si një falsifikim, nuk duhet parë si një sulm kundër besimit të besimtarëve. Autenticiteti i pëlhurës, nuk është deklaruar asnjëherë zyrtarisht nga Kisha Katolike. Ai është përshkruar vetëm si “pasqyrë e ungjillit”, dhe madje si një “relikt i spikatur” nga Papa Gjon Pali II. Megjithatë, pjesë të enigmës janë ende të pazgjidhura disa dekada më vonë, duke bërë që Qefini i Torinos, të mbetet një nga reliket më të diskutueshme dhe të pashpjegueshme në histori, pavarësisht origjinalitetit ose jo të tij. /Ancient Origins–Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb