* JA MOMENTI KUR HIDHEN VEZET
* Studentja: U dhunuan ata që qëlluan me vezë, u tërhoqën zvarrë
* Incidenti me vezë, Rama “përgjigjet” me buzëqeshje përpara selisë së PS
* Përfaqësues të AP: Nuk po na lënë të takojmë studentët, shkelje e rëndë
* AP nis hetimin për trajtimin nga policia të studentëve të ndaluar pas incidentit me kryeministrin

TIRANE– Një grup studentësh kanë qëlluar me vezë kryeministrin Edi Rama, teksa po dilte nga Universiteti i Shkencave Sociale në Tiranë, pas takimit që zhvilloi me përfaqësues të biznesit të vogël. Vezët kanë rënë mbi makinën e Kryeministrit, ndërsa fillimisht studentët e kanë sulmuar kreun e Qeverisë me fyerje si ‘hajdut’, ‘sharlatan’, ‘i shitur’ dhe ‘kryeministër plehrë’, ndërsa kanë hedhur vezët.

Momenti i qëllimit

Ndërkohë pas ngjarjes Policia ka shoqëruar 8 studentë që kanë protestuar dhe kanë qëlluar me vezë makinën e Ramës. Studentët janë lënë të lirë rreth orës 19:35, pas rreth 8 orësh në ambientet e Policisë së Tiranës. Pas lirimit ata kanë deklaruar se ndaj tyre ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për mosbindje dhe kundërshtim të punonjësit të policisë. Gjithashtu ata u shprehën se nuk janë dhunuar brenda në polici por gjatë momentit të shoqërimit, gjë që është mohuar nga policia. Megjithatë ata kanë thënë se do të vijojnë protestat kundër reformës në arsimin e lartë. Gjatë kohës që studentët mbaheshin në polici, dhjetëra studentë të tjerë dhe qytetarë kanë qëndruar para ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës deri në lirimin e studentëve të ndaluar.

LIROHEN 8 STUDENTËT: DO NDIQEMI PENALISHT, KËSAJ ÇËSHTJE DO I SHKOJMË DERI NË FUND. REFORMA NUK KALON!
Pas rreth 8 orësh policia ka lënë të lirë 8 studentet e shoqëruara pas incidentit me kryeministrin Edi Rama dhe protestës së tyre kundër reformës në arsim. Pasi kanë dalë nga ambientet e Policisë së Tiranës, një prej studenteve ka deklaruar se nuk ka pasur dhunë, por se janë marrë në pyetje dhe do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë për kundërshtim të punonjësve të policisë. Gjithashtu studentët kanë deklaruar se do vazhdojnë protestat kundër reformës së arsimit të lartë.

“Nuk është ushtruar dhunë ndaj nesh në ambientet e policisë. Ne do të hetohemi penalisht për kundërshtim të policisë, ndërkohë që është e kundërta, Policia ka ushtruar dhunë ndaj studentëve. Të gjithë që ishin brenda janë pyetur. Do ndiqemi penalisht në gjendje të lirë. Do i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje, kjo reformë nuk kalon!”, ka deklaruar studentja.

Shoqerohen disa studente
Nëntë studentë janë shoqëruar në Komisariatin Nr.2 lidhur me këtë incident, ndërsa zona është rrethuar me shirita nga policia. Gjashte prej studentëve të shoqëruar i përkasin grupimit “Lëvizja për Universitetin”, ndërsa tre të tjerë janë nga “Lëvizja Studentore në Prishtinë”.

Mësohet se studentët e shoqëruar janë: Anita Lushi Bora Mema ,Klodi I. Hoxha, Viki Cipi, Liri Kuçi, Durim Jasharaj, Dardan Konjufca dhe Valton Marku.

Policia nderhyn tek studentet

 

“Vezet ne shenje revolte”
“Lëvizja për Universitetin” bën të ditur se sulmi ndaj kryeministrit u krye në shenjë revolte për ligjin e arsimit të lartë. Studentët pretendojnë se janë dhunuar nga policia, e cila i ka shoqëruar me forcë në komisariat.

“Lëvizja Për Universitetin” denoncon dhunën që është ushtruar mbi aktivistët nga policia e qeverisë së privatëve. Qeveria përdori policinë e shtetit për të kaluar forcërisht një reformë që pasuron privatët. Tashmë qeveria po përdor dhunën policore për të ruajtur privilegjet e privatëve. Ju bëjmë thirrje të gjithë studentëve, pedagogeve, aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve që ta dënojnë këtë arrogance qeveritare dhe t’i bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të aktivistëve: Anita Lushi Bora Mema Klodi I. Hoxha, Viki Cipi, Liri Kuçi Durim Jasharaj, Dardan Konjufca, Valton Marku.”- thuhet në reagimin e “Lëvizjes për Universitetin”.

PËRFAQËSUES TË AP: NUK PO NA LËNË TË TAKOJMË STUDENTËT, SHKELJE E RËNDË
Disa përfaqësues të Avokatit të Popullit ndodhen gjithashtu përpara ambienteve të komisariatit nr.2 në pritje për tu takuar me studentët e ndaluar. Ata shtojnë se po ndalohen nga policia dhe se kjo është një shkelje e rëndë.
“Kemi 45 minuta që tentojmë të futemi brenda ambienteve, të ushtrojmë detyrën tonë. Aktualisht jemi penguar nga policia dhe kjo është shkelje e rëndë. Presim ta verifikojmë dhe të hetojmë për ngjarjen”,- thanë ata.

STUDENTI: SHOKËT TANË PO MBAHEN PADREJTËSISHT NË POLICI
Sipas njërit prej tyre, ata nuk kanë marrë asnjë informacion nga policia për fatin e studentëve të shoqëruar. “Nuk na kanë dhënë informacion, nuk presim më shumë nga kjo polici që na dhunon. Universiteti është i studentëve dhe pedagogëve nuk është i kryeministrit. Nuk mund të vijë kryeministri aty dhe të bëjë takime private. Presim të solidarizohen me kauzën tonë, të solidarizohen me padrejtësinë që po ju bëhet studentëve që po mbahen padrejtësisht”.
Ai sqaroi më tej arsyet se pre studentët u revoltuan me Ramën. “i treguam se është i padëshiruar sidomos pas kësaj reforme të papajtueshme. Ne jemi kundër devijimit të fondeve publike drejt privatëve, kundër kthimit të universitetit në pronë të pakicave, kjo është mënyra e duhur për të reaguar”.

STUDENTJA E ARRESTUAR NË FB: NA TRAJTUAN KAFSHËRISHT, BASHKOHUNI ME KAUZËN TONË
Studentja e arrestuar, Viki Çipi shkruan në Facebook nga ambientet e Komisariatit nr. 2 dhe bën thirrje për mbështetje. Ajo thotë se janë trajtuar si kafshë gjatë shoqërimit.

“Nga komisariati nr. 2 tani! Të gjithëve që na njohin dhe e dinë kauzën e përbashkët për të cilçn po luftojmë, iu bëj thirrje të bashkohen tani! Na trajtuan kafshërisht, na dhunuan paturpësisht dhe ende vazhdoj e thërras‪#‎ArsimPublikFalas‬
Dua dhe unë të arsimohem
Arsimi është e drejtë dhe jo privilegj për të pasurit!”,- shkruan ajo.

STUDENTJA: U DHUNUAN ATA QË QËLLUAN ME VEZË, U TËRHOQËN ZVARRË
Njëra prej studentëve që është pjesë e “Lëvizjes Për Universitetin” sqaron se menjëherë pas sulmit me vezë ata janë dhunuar e tërhequr zvarrë.
“Menjëherë pas sulmit janë sulur badigardë dhe policë, aktivistët janë marrë zvarrë, janë tërhequr prej flokësh. Janë shoqëruar 9 vetë. Lëvizja për Universitetin ka mëse një vit që e kundërshton fort këtë reformë klienteliste që zbraz xhepat e shqiptarëve dhe favorizon klientelistët. Por fakti që kryeministri asnjëherë nuk është takuar me neve e shtoi më shumë revoltën tonë”,- tha ajo.

Studentja sqaron më tej se reagimi i sotëm ishte spontan. “Kjo e sotmja ishte spontane, nuk mund të flasim për organizim kur janë 9 veta, kur nuk kishim informacion paraprak që do vinte kryeministri. Për studentët autoritetet janë ilegjitime se nuk biem dakord me reformën dhe politikën për arsimin e lartë”,- vijoi ajo.

INCIDENTI ME VEZË, RAMA “PËRGJIGJET” ME BUZËQESHJE PËRPARA SELISË SË PS
Reagimi i kryeministrit për incidentin me vezë, duket se ka qenë vetëm një buzëqeshje. Gazetarja Marsela Karapanço raporton se kreu i qeverisë është pyetur në përfundim të mbledhjes së grupit të Partisë Socialiste, për atë që ka ndodhur në fakultetin e Shkencave Sociale dhe nuk ka dashur të përgjigjet. Rama ka buzëqeshur në fund të pyetjes e më pas është larguar.

POLICIA PËRGËNJESHTRON: NUK ËSHTË KEQTRAJTUAR ASKUSH
Policia e Tiranës ka reaguar për ndalimin e 8 studentëve, duke theksuar se nuk është keqtrajtuar asnjë prej tyre.
Duke përgënjeshtruar “çdo pretendim të cilësdo partie” , Policia e Tiranës thotë se nga uniformat blu është “ushtruar detyra brenda normave”.

“Policia e Tiranës ka shoqëruar 8 persona pas incidentit të ndodhur mesditën e sotme, ku disa të rinj kanë qëlluar me objekte të ndryshme në drejtim të mjetit të Kryeministrit të Republikës.

Në zbatim të ligjit, Policia ka ndërhyrë menjëherë, së bashku me forcat e Sigurisë së Gardës së Republikës duke shoqëruar studentët në rajonin më të afërt.

Pas kësaj, 8 të shoqëruarit, janë dërguar në ambientet e Drejtorisë Vendore ku po merren në pyetje për rrethanat e ngjarjes.

Sqarojmë publikun se nga Policia e Shtetit nuk është keqtrajtuar askush, si dhe përgënjeshtrojmë çdo pretendim të cilësdo Partie politike që akuzon Policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve.

Policia e Tiranës ka ushtruar detyrën brenda normave dhe procedurave standarde të punës, duke angazhuar efektive femra policie për të kryer shoqërimin e femrave që u përfshinë në incident, si edhe forca të tjera për shoqërimin e të rinjve.

Theksojmë se gjatë shoqërimit nuk është përdorur në asnjë moment dhunë fizike.

Policia e Shtetit ka bërë detyrën, edhe në kushtet kur ndaj punonjësve të policisë që po bënin ndalimin e studentëve, disa të rinj u përpoqën fizikisht t’i ndalonin të zbatonin ligjin.

Ndërkohë po vijon marrja e tyre në pyetje deri në sqarimin e plotë të gjithë rrethanave të incidentit.

Policia e Shtetit thekson angazhimin për të garantuar të drejtat dhe liritë e çdo qytetari, përfshirë edhe qytetarëve që duan të protestojnë, por kjo mund të bëhet vetëm duke respektuar ligjin.

Shkelja e pretenduar e të drejtave, nuk bëhet kurrë duke shkelur ligjin”, thuhet në reagimin e policisë.

AP NIS HETIMIN PËR TRAJTIMIN NGA POLICIA TË STUDENTËVE TË NDALUAR PAS INCIDENTIT ME KRYEMINISTRIN
Avokati i Popullit pas sinjalizimeve për ushtrim dhune ndaj disa studentëve nga policia, të cilët u përfshinë në një incident me kryeministrin, nisi menjëherë investigimin e këtij rasti të denoncuar. Por përfaqësueset e Avokatit të Popullit fillimisht u penguan të kryejnë detyrën e tyre kushtetuese, duke mos u lejuar të hyjnë në ambientet e Drejtorisë së Policisë.

Pas qëndrimit tonë, të bërë publik edhe në media, në ambientet e Drejtorisë së Policisë u lejua të hyjë vetëm njëra nga ekspertet e Avokatit të Popullit. Për këtë arsye institucioni ynë ka nisur një tjetër hetim për të zbuluar personat dhe shkaqet e ndalimit të ekspertëve të Avokatit të Popullit për të kryer detyrën e tyre kushtetuese, atë të verifikimit nëse ndaj studentëve është ushtruar dhunë ose jo.

E ritheksojmë se askush nuk duhet të pengoj punën e Avokatit të Popullit dhe zbatimin e kompetencave të tij kushtetuese, duke shkelur ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe Konventat Ndërkombëtare. I bëjmë thirrje titullarëve të policisë që qëndrime të tilla të mos ndodhin më në të ardhmen.

NDALIMI I STUDENTËVE, REAGON REKTORATI I UT: NDALIMI PËR NJË KOHË TË GJATË, I PAPRANUESHËM
Rektorati i Universitetit të Tiranës ka reaguar lidhur me ndalimin e studentëve që kanë protestuar ditën e sotme ndaj kryeministrit Edi Rama, duke qëlluar me vezë në drejtim të tij. Nëpërmjet një reagimi në media, Rektorati i Universitetit të Tiranës e cilëson të papranueshëm izolimin një komisariat për një kohë të gjatë të studentëve.

Sipas këtij Rektorati: “Pavarësisht formës së zgjedhur nga studentët e Shkencave Sociale për të shprehur idetë e tyre, ndalimi dhe izolimi për një kohë të gjatë është i papranueshëm”.

(er.nu/ma.ar/d.b/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb