Disa detaje të reja kanë dalë nga plagosja e dyfishtë e e 15 shtatorit teksa u qëlluan me armë zjarri shtetasit Besmir Çofi dhe Avenir Hasanaj, të dy tashmë jashtë rrezikut për jetën. Autori i dyshuar, shtetasi Lul Rakaj i cili u arrestua pak orë pas ngjarjes ka dhënë dëshminë e tij në policinë vendore të Shkodrës. Ndaj tij policia ka referuar veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”. 38 vjeçari deklaroi se ka qëlluar në drejtim të dy shtetasve pas një konflikti që ka patur nipi i tij dhe duke dyshuar se Besmir Çofi dhe Avenir Hasanaj ishin të armatosur.

“Pak ditë më parë dy personat që kam plagosur kanë goditur nipin tim duke e rrahur. Nuk e di se çfarë konflikti kanë pasur por di që më kanë goditur nipin i cili më tregoi për ngjarjen e ndodhur. Unë shkova për të folur me ta dhe aty nisi debati.  Dyshova se njëri prej tyre kishte armë zjarri ndaj duke menduar se mund të më vrisnin qëllova ndaj tyre”, mësohet të ketë thënë në dëshminë e tij i arrestuari Lul Rakaj.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë, më 15 shtator në rrethrrotullimin e Grikës në Malësinë e Madhe në hyrjen e një lokali. Shtetasi Lul Rakaj dyshohet se qëlloi 8 herë në drejtim të Besmir Çofit dhe Avenir Hasanaj duke i lënë të plagosur. Hasanaj mori një plumb në gjoks dhe ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Pas operacionit në spital kaloi rrezikun për jetën. Pas ngjarjes në ndihmë të efektivëve të Shkodrës mbërritën forcat speciale RENEA të cilat pas pak orësh arritën të prangosin Lul Rakaj.

Arrestimi i tij u bë në afërsi të balkonit panoramik të Tamarës në Malësinë e Madhe. 38 vjeçari tentoi që të çajë rrethimin e RENEA por forcat speciale arritën ta ndalojnë. Në automjet Lul Rakaj kishte edhe bashkëshorten. Arma e zjarrit tip pistoletë nuk është gjetur ende dhe policia po punon për ta gjetur dhe sekuestruar si provë.

Lul Rakaj në vitin 2004 ka vrarë shtetasin Kolë Gjokaj duke u hakmarrë për babain e tij të vrarë nga vëllai i Kolë Gjokaj më përpara. Pas afro 15 vitesh burg Lul Rakaj u lirua duke u përfshirë në këtë tenativë vrasje me dy të plagosur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb