Një person, i cili ka qëlluar me armë zjarri në ajër brenda ambienteve të një klubi nate në kryeqytet është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të datës 1 janar 2025, brenda ambienteve të një klubi në rrugën “Liman Kaba”.
Në kuadër të veprimeve hetimore, u shoqëruan dhe u morën në pyetje disa persona që kishin dijeni për ngjarjen, të cilët ofruan deklaratat e tyre për zbardhjen e rrethanave.
Falë këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe hetimeve të mëtejshme, policia arriti të identifikojë personin që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Sipas njoftimeve zyrtare, nga ngjarja nuk ka pasur persona të lënduar.
Sakaq, policia e Komisariatit Nr. 2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, po vazhdon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e autorit, duke synuar vënien e tij përpara drejtësisë.