Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim Jetmir Pepajn, 33-vjeçarin, që qëlloi me armë zjarri në një club nate në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në një klub nate në rrugën “Liman Kaba” më datë 1 janar 2025, rreth orës 04:30 minuta të mëngjesit.

Policia thotë se nga këqyrja e vendit të ngjarjes, është sekuestruar edhe një gëzhojë.

“Në përfundimin të veprimeve të para hetimore nga Komisariati i Policisë Nr.2, nën drejtimin e Prokurorisë u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit J.P, 33 vjeç. Ky shtetas dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” më datë 01.01.2025 rreth ores 04:30. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë”, njoftoi policia e Tiranës.

Si ndodhi ngjarja?

Jetmir Pepaj akuzohet nga policia për “armëmbajtje pa leje” dhe “prishja e qetësisë publike”. I riu është ish-bashkëshorti i Mariela Berishës, e cila bashkë me motrën e saj, ish-banoren e BBVIP Antonela Berisha, akuzohen se kanë dhunuar blogeren Klea Prenga.

Ngjarja tronditëse u bë publike nga vetë Klea Prenga, që tregoi plagët që kishte marrë në fytyrë. Arsyeja e dhunimit të Klea Prengës dyshohet se ka qenë një romancë që ajo kishte nisur me Jetmir Pepajn.

Kjo ngjarje ndodhi më 6 gusht 2024 në një nga lokalet e Tiranës. Dy motrat Berisha u dorëzuan në polici pas 2 muajve në arrati dhe u lanë të lira nga gjykata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb