Këshilli i Mandateve ka diskutuar sot mbi mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj , për të cilin Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka ngritur pretendimet, se ai i ka marrë buxhetit të shtetit me kompanitë e tij private, 36 mln lekë të vjetra.
Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi tha se Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë se edhe sikur deputeti të përfitojë 1 lek nga buxheti i shtetit për bizneset e tij, ai humbet mandatin.
Ndërkohë Sinaj, në sqarimin e tij para Këshillit tha se nuk ka përfituar asnjë lekë nga buxheti i shtetit. Ai tha se kompanitë e tij kishin paguar 32 mln lekë më tepër, të cilat shteti ia kishte kthyer.
Socialistët në Këshillin e Mandateve, ashtu si në rastin e Olta Xhaçkës janë shprehur për një opinion nga Komisioni i Venecias, por demokratët kanë kërkuar që çështja të kalojë në seancë, ashtu sikundër e parashikon Rregullorja e Kuvendit.
Këshilli i Mandateve do të zhvillojë një tjetër mbledhje ku do të përcaktojë se çfarë qëndrimi do të mbajë, ndërsa në mbledhjen e mbajtur sot nuk kanë munguar batutat dhe përplasjet, veçanërisht mes Gazment Bardhit dhe Vullnet Sinajt.
Debatet
Sinaj: A i ka paguar lekët e karrigeve që ka djegur apo jo dhe nëse nuk i ka paguar lekët duhet të rrijë në këmbë.
Bardhi: Ti zotëri i ke vënë zjarrin buxhetit të shtetit, duke marrë lekët e buxhetit të shtetit dhe duke i marrë në xhep.
Sinaj: Thuhet se kompania ka përftuar 36 mln lekë të vjetra. Në momentin që kompania ka bërë rakordimin ka dalë që i ka paguar shtetit nga lekët e veta, 32 mln lekë më tepër, dhe shteti i ka kthyer kompanisë 32 mln lekët e saj.
Bardhi: Për 18 mijë lekë të vjetra i ka ikur mandati ish-kolegut tuaj Koço Kokëdhima, sepse kjo është Kushtetuta e republikës së Shqipërisë.
Sinaj: Edhe këtë rradhë qëllove si kalama o Mane…
Bardhi: Ta kuptoj hallin e shkeljes së Kushtetutës
Çuçi: Nëse Komisioni i Venecias e konstaton një paqartësi Kushtetuese është detyra jonë të marri vendime ligjvënëse të tjera që ta sqarojmë këtë çështjes përfundimisht.
Bardhi: Nuk mund të presim opinionin e Komisionit të Venecias, pasi bazuar në rregulloren e Kuvendit ne duhet t’ia përcjellim seancës plenare për votim.