TIRANË

Gjykata e Apelit në Tiranë nuk ka pranuar ankimimin e studentëve, të cilët qëlluan me vezë kryeministrin Edi Rama në vitin 2015. Kjo gjykatë ka lënë në fuqi vendimin me 40 orë punë publike për 8 studentët.

Gjithashtu, gjykata ka pohuar se ankimimi i kërkuar nga studentët nuk është bërë brenda afatit kohor dhe për pasojë kërkesa e tyre nuk mund të pranohet.

Ngjarja ka ndodhur me 2 nëntor 2015, ku studentët  goditen me vezë në drejtim të makinës së kryeministrit Rama, në momentin kur ai po dilte nga ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë ku mbajti një aktivitet me biznesin e vogël.

Studentët të cilët do të vijojnë të shlyejnë dënimin e përcaktuar nga Gjykata e Tiranës me orë pune në komunitet janë :  Liri Kuci, Klodi Hoxha, Bora Mema, Anita Lushi, Vitori Cipi, Dardan Konjufca, Valton Marku dhe Durim Jasharaj.

Pas këtij vendimi, ka folur për ‘BalkanWeb’ edhe studentja, Bora Mema, e cila tha se së bashku me studentët e tjerë do të vijojnë të kërkojnë pafajësinë për akuzat e ngritura.

“Kërkojmë pafajësinë për akuzat dhe për dënimin që na është caktuar”, tha ajo.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb