NGA JETON SELIMI

TIRANE- Qemail Elshani është përforcimi i radhës në kampin e kuq. Talenti nga Kosova kishte arritur akordin me klubin e Partizanit prej disa ditësh, ndërsa dje ka ardhur edhe zyrtarizimi i tij si pjesë e të kuqve për dy vitet e ardhshme. Elshani, pjesë e Ferronikelit në Superligën e Kosovës, fitues i kupës dhe kampionatit sezonin e shkuar, tashmë do të vijojë karrierën e tij në Shqipëri me shpresën për t’u rritur edhe më tej nga ana profesionale. Lajmi është zyrtarizuar edhe nga klubi i Partizanit me anë të një njoftimi në faqen zyrtare në “Facebook”, ku falënderon për bashkëpunimin dhe skuadrën e Ferronikelit, që fillimisht ishte shprehur kundër këtij transferimi.

“Klubi njofton se nga sot Qemail Elshani është përforcimi i radhës i Partizanit. Mesfushori 24-vjeçar nga Kosova do t’i bashkohet skuadrës të mërkurën, për t’u vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Agostineli. Partizani njëkohësisht falënderon drejtuesit e KF Feronikelit, të cilët i dhanë mundësi Elshanit të bashkohet me 15 herë kampionët e Shqipërisë”, lexohet në komunikatën e kryeqytetasve. Qemail Elshani ka firmosur kontratë dyvjeçare me Partizanin dhe pritet të dalë në stërvitje me të kuqtë. Vetë ish-futbollisti i Ferronikelit e ka konfirmuar një gjë të tillë për “gazetaolle.com”: “Kam nënshkruar kontratë me Partizanin.

Premtoj maksimumin dhe dua t’i falënderoj të gjithë te Ferronikeli për kohën sa kam kaluar aty.” Në një prononcim tjetër për gazetën kombëtare “Bota Sot”, të cilin më pas e ka postuar edhe në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, futbollisti më i ri i Partizanit tregon se është besimtar i devotshëm në Zot: “Ishte i vështirë vendimi për t’u larguar nga klubi, tek i cili jam rritur dhe është në rritje e sipër çdo ditë e më shumë. Karakterin dhe personalitetin që kam ndërtuar këto vite e kam mbështetur te feja islame, që do të thotë paqe. Dhe kështu, pas të gjitha sukseseve dhe gjërave që arritëm bashkë, ne po ndahemi në paqe. Falënderoj udhëheqësit dhe komplet hierarkinë e klubit te KF Ferronikeli e në veçanti Artan Berishën, i cili më ka mbështetur gjithë këto vite dhe ka plotësuar çdo dëshirë timen. Falënderoj të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar, tifozët ‘Tigrat e Zi’ dhe gjithë qytetin, me shpresën se do të përsëriten sukseset e vitit të kaluar”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: