Më në fund “Qemal Stafa” do të gjelbërohet. Tapeti që shpeshherë ka zbehur cilësinë e lojës për skuadrat e kryeqytetit, është gati për t’u shtruar. Ashtu siç e bëri të ditur disa ditë më parë drejtori i shoqërisë aksionere “Kuqezi”, Eduard Prodani, bari i ri ka ardhur nga Greqia dhe pas kryerjes së dokumentacionit përkatës në Doganë është gati për t’u shtruar. Edhe pse moti në Tiranë nuk është optimal, parashikohet që të shtunën, me rifillimin e kampionatit të jetë i shtruar edhe tapeti i gjelbër në ndërkombëtarin “Qemal Stafa”. Megjithatë fusha do të jetë e papërdorshme për të paktën dy javë, pasi kjo është koha që i nevojitet barit të ri të lidhet me sipërfaqen e tokës. Në këtë mënyrë, edhe pse nuk përfundon brenda afatit të përcaktuar më parë, tashmë pritet që Partizani dhe Tirana të kenë një fushë të kushteve optimale, pavarësisht se pjesa tjetër e stadiumit lë ende për të dëshiruar. Shtrimi i tapetit të gjelbër do të bëhet nga specialistët përkatës në ditët në vijim dhe parashikohet që të shtunën “Qemal Stafa” të ketë marrë pamjen jeshile. Cilësia e fushës është e njëjtë me atë të stadiumit “Elbasan Arena” dhe “Skën-derbeu” të Korçës, që njihen si tapetet më të mira në stadiumet tona. Shtrimi i tapetit të ri u pa si domosdoshmëri për të mos zbehur spektaklin e lojës, pasi ekipet zhvillojnë takime të luftuara dhe përkrahen nga mijëra tifozë. Tapeti i ri është një investim i përbashkët i shoqërisë “Kuqezi”, “Dixhitalb”-it dhe Partizanit.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: