TIRANË- Gjithkush këto ditë ka pyetur veten se ç’është ky mot në fillim të verës. Temperatura si të marsit dhe reshje si të marsit, çka për shumë ka qenë dhe një motiv për shaka dhe meme duke u kthyer në ekzorcist për të nxjerrë marsin nga qershori.

Por përse vjen kjo situatë meteorologjike në vendin tonë, ku reshjet na shoqërojnë pothuajse çdo ditë? Përgjigjja vjen nga MeteoAlb, i cili thotë se një qendër ciklonare e vendosur mbi Ballkan ka diktuar motin në Europën Juglindore.

Kjo qendër ciklonare ka bërë që Shqipëria gjatë paradites të dominohet nga kthjellime të shkurtra dhe vranësira të shpeshta duke gjeneruar shira të dobët deri mesatarë në Veri dhe Qendër por pasditja sjell shira mesatarë dhe intensivë në zonat Jugore dhe Juglindore. Orët e natës mbeten me shira të dobët në Qendër por shira deri mesatarë në zonat kufitare Lindore.

MeteoAlb thotë se temperaturat e ajrit kanë mbetur thuajse konstante në mëngjes por orët e mesditës kane sjelle një rënie me 2°C kur pritet maksimumi mbi 28°C.

Era do fryjë mesatare në tokë por e fortë në det, me shpejtësi 55 km/h nga drejtimi Verior ndërsa në det vijon dallgëzimi 3 ballë.

Shqipëria
Moti – E enjte, 28 qershor 2018
Sipas MeteoAlb: Qendra Ciklonare në veri të Ballkanit do të vijojë ndikimin e saj në tablonë sinoptike të territorit shqiptar. Rrjedhimisht, pjesa e parë e ditës mbetet me vranësira të shpeshta duke sjellë rrebeshe të përkohshme shiu në pjesën më të madhe të vendit por pasditja sjell përmirësim gradual të motit në të gjithë vendin.

Temperaturat e ajrit ulen lehtë gjatë mëngjesit porr rritje me 1- 2°C sjell mesdita duke ngjitur maksimumin territorial mbi 30°C.
Era do fryjë e lehtë në tokë por mesatare në det, me shpejtësi 45 km/h nga drejtimi Veriperëndimor duke krijuar në det dallgëzim 2 ballë.

Rajoni dhe Europa
Moti – E enjte, 28 qershor 2018
Europa Juglindore dhe pjesërisht zonat Qendrore të saj vijojnë me vranësira dhe rrebeshe afatshkurtra shiu por edhe stuhi të forta ere. Por pjesa më e madhe e Europës dominohet nga kthjellime dhe vranësira kalimtare; më të dukshme kthjellimet në Veri dhe zonat Veriperëndimore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: