NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Mes Institucioneve të Arsimit të Lartë të cilat ditën e djeshme votuan për drejtuesit e rinj duhej të ishte edhe Qendra e Studimeve Albanologjike (QSA). Faktikisht në QSA nuk pati proces zgjedhor, edhe pse drejtuesve tashmë u ka përfunduar mandati 4-vjeçar. Ministria e Arsimit në datën 2.3.2016, ashtu si 14 institucioneve të tjera të arsimit të lartë, edhe pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike ka dërguar për mendim draft-rregulloren e zgjedhjeve. Në datën 7 mars, Senati Akademik i QSA-së ka përcjellë mendimin për projekt-rregulloren e zgjedhjeve në Institucionet e Arsimit të Lartë.

Por pranë kësaj qendre MAS-i nuk dorëzoi zyrtarisht asnjë rregullore të zgjedhjeve si dhe ndonjë shkresë tjetër që t’u sqaronte se nuk do ishin pjesë e zgjedhjeve. Drejtori i QSA-së, prof. dr. Adrian Marashi, në një intervistë për “GSH” sqaron se deri në mes të muajit mars, kur MAS-i miratoi rregulloren e zgjedhjeve, ata mendonin se do ishin pjesë e garës. “Ne jemi informuar vetëm pas miratimit të rregullores nga ana e Ministrisë së Arsimit që nuk do të hynim në zgjedhje. Dhe informimi na u bë gojarisht pas kërkesës sonë”, – tha Marashi, drejtori i QSA-së. Ndërkohë që, shqetësimi më i madh i tij është fakti se kjo qendër sot është pa një status ligjor, pasi është lënë jashtë ligjit të ri “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Prof. Marashi, a duhej të ishte QSA-ja në zgjedhje?
Normalisht që duhej të ishim futur në zgjedhje. Nëse do vijohej me ligjin e mëparshëm të arsimit të lartë, pa diskutim që do hynim në zgjedhje. Gjithsesi ne prisnim sërish të hynim në zgjedhje, pasi drejtuesit kanë mbaruar mandatin. Ka mbaruar mandati 4- vjeçar i drejtorit të Qendrës, të zgjedhur në 2012-ën, i drejtorëve të instituteve, i senatit akademik, i këshillit të administrimit. Zgjedhjet janë momenti që ripërtërin jo vetëm drejtimin e institucionit, por edhe statusin e tij ligjor. Por, duke qenë se ne jemi pa një status të përcaktuar në ligjin e ri, kemi mbetur jashtë.

Keni pasur komunikim me Ministrinë e Arsimit?
Me ministrinë kemi pasur komunikim si çdo institucion tjetër. Na sollën draftrregulloren për zgjedhjet, në fillim të marsit, ne u dërguam shkresën e kthimpërgjigjes me pretendimet tona. Dhe ne ishim duke pritur rregulloren përfundimtare për të hyrë në zgjedhje. Pra ne si institucion e kishim fjetur mendjen se do futeshim në garë. Vetëm kur morëm vesh se universiteteve u shkoi rregullorja në mes të marsit kurse neve nuk na erdhi zyrtarisht, filluan dyshimet. Pasi ne u interesuam në ministri, pritëm një ditë për të marrë përgjigje. Dhe na thanë gojarisht se ‘ju nuk futeni në zgjedhje, pasi nuk plotësoni kriterin e tipit të Institucionit të Arsimit të Lartë që parashikohet në ligjin e ri të arsimit të lartë. Faktikisht kjo është një gjë që dihej. Unë e kam ngritur zërin që një vit më parë, kur diskutohej ligji. Unë e kundërshtoja pasi ne nuk jemi pjesë e katër tipeve të institucioneve që parashikohen ky ligj. Por ministria më kundërshtonte. Ligji faktikisht mban ato institucione që ofrojnë nivelin e parë dhe të dytë të studimeve universitare. Duke qenë se ne ofrojmë vetëm ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, master dhe doktoraturë, pra studime të thelluara, kemi mbetur jashtë ligjit. Dhe automatikisht jemi dhe pa status ligjor, pasi ligj tjetër nuk ka. Normale do ishte që të na linin me statusin që kishim. Derisa të dalë një ligj tjetër, nuk ka asnjë arsye juridike që të lihet jashtë Qendra e vetme e Studimeve Albanologjike. Këtë madje e ka theksuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit në një audit që ka bërë kohët e fundit, duke e ngritur si problem çështjen e mungesës së statusit ligjor, pasi ne në ligjin e arsimit të lartë nuk jemi përfshirë, por as ligj tjetër nuk është miratuar. Dhe, fakti i mosfutjes në zgjedhje e ka një logjikë; për të mirë apo të keq, kjo është tjetër gjë. Po të hynim në zgjedhje, ne ripërtërinim statusin tonë të vjetër, i cili faktikisht tashmë nuk ka bazë ligjore. Nëse do miratohet një ligj i ri për kërkimin shkencor, do parashikohet edhe riformatimi i QSA-së.

Sa është stafi i Qendrës së Studimeve Albanologjike?
Stafi është 123 vetë. 21 janë administratë, pjesa tjetër janë kërkues shkencorë dhe ndihmës shkencorë.

Po studentë që janë duke ndjekur ende studimet, sa janë?
Në total janë rreth 270 studentë që ndjekin studimet në master shkencor dhe doktoraturë.

Si drejtues i QSA-së, a keni të dhëna si do bëhet riformatimi?
Fatkeqësisht nuk kemi të dhëna. Nuk e dimë çfarë fati do ketë QSA-ja. Po të ishim me status ligjor, ministria nuk do bënte dot asgjë, pasi e ka detyrim që të pyetet trupa akademike. Ne kemi kërkuar nëpërmjet shkresave të dërguara në MAS, por edhe nëpërmjet një promemorieje të drejtuar kryeministrit, që institutet të mbeten në një institucion më vete, të mos futen në varësi të tjetërkujt. Të kenë një status ligjor dhe liri akademike, që është baza e kërkimit shkencor. Por në këtë mes, lirinë në dorë e ka Ministria e Arsimit për të përcaktuar se çfarë do të bëhet me QSA-në.

Si paraqitet kërkimi shkencor?
Kërkimi shkencor nuk ka mbështetje financiare që të bëhet kërkim në formatin normal. Formati normal nuk është të organizosh një konferencë apo të botosh një libër. Kërkim shkencor është të punosh sot për pas 10 vitesh. Por ne nuk punojmë dot sot për sot, sepse nuk e dimë çfarë do të ndodhë të nesërmen dhe jo më për 10 vitet e ardhshme! Të ulërasësh se nuk ka kërkim shkencor në Shqipëri, kur nuk siguron kushtet minimale, është absurde! Kërkimi shkencor nuk është rroga. Qëllimi i një kërkimi shkencor është të bëhet kërkim institucional, të punojnë të gjithë punonjësit bashkë në grup, jo punë individuale.
(ed.me/Gazeta Shqiptar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: