U kujtua jeta dhe gjithë kontibuti madhor intelektual i lënë në kulturën shqiptare nga Arshi Pipa.

“Unë mund të heq dorë nga gjithçka, po jo nga mendimi. Kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira ime absolute!”, do të shprehej mendimtari, gjuhëtari dhe publicisti Arshi Pipa.

Në fjalën e saj, Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, vlerësoi kontributin e Pipës në letrat shqipe si një studiues të rëndësishëm të historisë sonë letrare.

“I censuruar, i arratisur nga Shqipëria komuniste e disident, vepra e mendimtarit Pipa ende nuk njihet plotësisht, ndoshta për shkak edhe të rrethanave historike. Vështrimet e tij mbi periudha të caktuara të letërsisë shqipe janë një vlerë për studimet shqiptare”, u shpreh Bardhyli.
Po ashtu u prezantua libri “Kur Sigurimi merrej me shkencë”, një botim tash katër vjeçar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Prezantimi u bë nga znj.Gentjana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e cila ishte pranishme në këtë takim. Sipas saj, dosja e përndjekjes së Pipës është ndër më voluminozet e së shpejti do të jetë pjesë e një aktiviteti të hapur.

I nipi, Plator Kalakula u shpreh për Pipën si më tej: “Më ka bërë përshtypje thjeshtësia e tij. Ishte aq i thjeshtë, siç mund të jetë një njeri i kulturuar”.

Vlerësim për figurën e Pipës shprehën edhe profesor Hektor Çiftja dhe botuesja e tij, Irena Buzi nga botimet “Princ”. Profesor Hektor Çiftja vuri theksin tek euridiciteti, njohjen e kadencës, filozofisë nga ana e Pipës si dhe librit të tij “Libri i burgut” ku Pipa ka arritur që përmes vargjeve të sjellë jetën në kampet e internimit në Shqipërinë e aso viteve.

Arshi Pipa vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes nga viti 1948, ndërsa shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”. Ai u lirua nga burgu në prillin e vitit 1956 ndërsa më vonë emigroi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku edhe ndërroi jetë në 20 korrik 1997.
Në librin e tij Letërsia Bashkëkohorë Shqiptare të botuar në anglisht në Nju-Jork në vitin 1991, Arshiu shkruan për “përplasjet” me regjimin dhe shkaqet që e çuan në burg për herë të parë:

“…Ligjërata ime për Migjenin u komentua si një akt rebelimi.(…)”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb