Britanikja The Guardian i ka kushtuar një artikull kampeve të emigrantëve në Shqipëri, duke theksuar se deri në ato momente ato kanë mbetur bosh, ndërsa opozita italiane i ka cilësuar si një “fatkeqësi financiare”.

Kur Italia hapi qendrat e emigrantëve në Shqipëri në tetor, plani ishte i qartë: 3,000 njerëz në muaj të përgjuar në ujërat italiane do t’i shqyrtonin kërkesat e tyre për azil përtej kufijve të Italisë, të monitoruara nga oficerët e policisë italiane, shkruan The Guardian.

Objektet në Shëngjin janë bosh: ajo që ishte paraqitur nga Komisioni Evropian si një model i ri për mbajtjen e emigrantëve jashtë BE-së, u cilësua e paligjshme nga gjyqtarët italianë, pasi emigrantët nga Bangladeshi dhe Egjipti, vende të cilësuara “të sigurta”, u kthyen në Itali.

Vetëm 24 azilkërkues janë dërguar në Shqipëri dhe asnjë nuk ka mbetur atje. Pesë kaluan më pak se 12 orë në një qendër paraburgimi, ndërsa pjesa tjetër qëndroi për pak më shumë se 48 orë.

Në një kohë kur Italia po përpiqet të balancojë buxhetin e saj, duke shkurtuar fondet për arsimin, shëndetin dhe sigurimet shoqërore , partitë opozitare e kanë quajtur marrëveshjen midis Romës dhe Tiranës, e cila do të kushtojë rreth 1 miliardë euro për pesë vjet, një “fatkeqësi financiare”.

Në fund të nëntorit, e përditshmja kombëtare Domani zbuloi se një tjetër qendër paraburgimi shqiptare, në Gjadër, e destinuar për të strehuar azilkërkuesit, ishte pushtuar nga qen endacakë të birësuar nga 15 oficerët e burgut të vendosur atje. “Oficerët e burgut kanë ndjekur nevojat e qenve me dashuri dhe durim, duke u siguruar atyre ushqim, ujë, kujdes të përditshëm mjekësor dhe mbi të gjitha, një mjedis të sigurt dhe të dashur,” thuhet pas vizitës në qendër.

Sikleti i qeverisë italiane lidhur me skemën, e sulmuar nga partitë opozitare si një “dështim i plotë” , ka provokuar një grindje midis autoriteteve dhe gjyqtarëve, të cilët janë akuzuar nga partitë e ekstremit të djathtë për pengim të projektit pasi mbështetën një vendim të 4 tetorit nga gjykata evropiane e drejtësisë se një vend jashtë bllokut nuk mund të shpallet i sigurt nëse i gjithë territori i tij nuk konsiderohet i sigurt.

Muaj përpara se të nënshkruhej marrëveshja mes kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni dhe homologut të saj shqiptar, Edi Rama, OJQ të shumta, akademikë dhe ekspertë kishin ngritur dyshime nëse ajo mund të konsiderohet njerëzore apo edhe e ligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Disa shtete evropiane kanë propozuar zgjidhje të ngjashme me marrëveshjen e Italisë me Shqipërinë që nga viti 1993, me propozimet e tyre të refuzuara.

Italia ka treguar se iniciativa është në pritje pasi ajo kërkon një zgjidhje që nuk shkel ligjet ndërkombëtare humanitare.

“Qendrat për emigrantët në Shqipëri do të funksionojnë, edhe nëse më duhet të kaloj çdo natë atje nga tani deri në fund të mandatit të qeverisë italiane”, këmbënguli Meloni.

Besueshmëria e kryeministres është në rrezik pasi qeveria e saj e ka bërë emigracionin një çështje qendrore të fushatës dhe ka kritikuar paraardhësit për shpenzimin e parave publike për menaxhimin e krizës së migracionit. (Transporti në rrugë detare me një anije ushtarake italiane për tetë persona që mbërritën në Shqipëri kushtoi 250,000 € – më shumë se 31,000 € për person.)

“Pse duhet t’i hedhim kështu paratë e italianëve? Pse të lëmë forcat e rendit me pushime në Shqipëri kur kemi nevojë për personel në qytetet tona?” tha Matteo Renzi, kreu i partisë opozitare Italia Viva, duke propozuar që të burgosurit shqiptarë në Itali të zhvendosen në kampet në Shqipëri.

“Marrëveshja e migracionit në Shqipëri është një nga farsat më të mëdha në historinë tonë”, shtoi ai, “Ka kushtuar një miliard euro dhe po shërben si strehë për qentë ”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb