TIRANE – 50 shtetas shqiptarë janë riatdhesuar nga Franca, Gjermania, Belgjika dhe Danimarka, pasi rezultuan se qëndronin në mënyrë të parregullt në vendet e BE-së.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Autoritetet ligjzbatuese franceze, kanë realizuar gjatë ditës së sotme një operacion riatdhesimi nga Franca në drejtim të Shqipërisë të 50 shtetasve shqiptarë, koordinuar dhe bashkë-financuar nga Agjencia Europiane për Kufirin FRONTEX.
Shtetasit që u riatdhesuan sot, përmes një avioni special (charter), janë 22 shtetas nga Franca, 19 nga Gjermania, 8 shtetas nga Belgjika dhe 1 nga Danimarka.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, Zv/Ambasadorja Gjermane dhe përfaqësues nga Ambasada Franceze, ndoqën nga afër në Aeroportin e Rinasit këtë operacion riatdhesimi.
Ndërkohë zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Kufirin e Migracionin, Genc Merepeza, në një prononcim për mediat e pranishme, evidentoi faktin se ky operacion riatdhesimi dëshmon dhe një herë nivelin dhe efikasitetin e veprimeve të efektivave tona policore, të specializuara në këtë drejtim.
“Njëherazi dëshmon më së miri vendosmërinë e shtetit dhe Policisë Shqiptare për të respektuar dhe përmbushur detyrimet në kuadër të lëvizjes së lirë në hapësirën shengen, si dhe domosdoshmërinë e respektimit të rregullave nga të gjithë shtetasit shqiptar, pasi do të përballen me penalitete, që ndër të tjera kufizojnë dhe lëvizjen e tyre deri në 5 vite këtë zonë.”- deklaroi Merepeza.
Në këtë fluturim riatdhesimi policia shqiptare ka siguruar eskortën shoqëruese, e cila përbëhet nga Njësia e Lëvizshme Territoriale Delta Forcë, Vlorë, e trajnuar dhe certifikuar nga Agjencia Europiane FRONTEX në vitin 2014. Në përbërje të eskortës marrin pjesë edhe 2 punonjëse policie femra, 1 psikologe femër dhe 1 mjek. Gjithashtu në kuadrin e Mekanizmit të Monitorimit për Parandalimin e Torturës marr pjesë dhe përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, me qëllim monitorimin e respektimit të drejtave të personave që riatdhesohen.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb