Pas deklaratave të Rusisë lidhur me krijimin e ushtrisë së Kosovës, vjen reagimi nga Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani. MPJ e Rusisë ka shprehur shqetësim për vendimin e Kuvendit të Kosovës për t’i shndërruar Forcat e Sigurisë së Kosovës në ushtri të plotë.


Përmes një postimi në ‘Facebook’, Ramadani pohoi se se në asnjë rrethanë Kosova dhe institucionet e saj të sigurisë, duke përfshirë edhe FSK-në, nuk paraqesin kërcënim. Madje, ai ka shtuar se rajoni do të përfitojë nga tranzicioni i FSK-së.


“Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, Kosova dhe institucionet e saj të sigurisë, përfshirë këtu FSK-në, nuk janë kërcënim. Përkundrazi, ato janë multi-etnike, profesionale, kredibile dhe me diversitet më të madh etnik se popullata të cilës i shërbejnë. Këto institucione janë të trajnuara në standardet më të larta demokratike. Rajoni do të përfitojë nga transicioni i FSK-së. Kosova kontribuon aktivisht në sigurinë rajonale dhe do ta rris kontributin”, ka thënë ai. “Rusia po përdorë propagandë krejtësisht mashtruese kundër Kosovës, ndërsa Serbisë po i merr qindra miliona euro nga buxheti duke i shitur armatim përmes aferave të mëdha të korrupsionit”, tha ai.
(BalkanWeb)