TIRANË

Pas denoncimit se qese me ndihma për të prekurit nga tërmeti po shkarkoheshin në Ministrinë e Brendshme, policia ka tentuar të shoqërojë në Komisariat juristen dhe aktivisten e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, znj. Adriana Kalaja.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme, pasi Kalaja është larguar nga sheshi i Teatrit. Në videon e publikuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shihen forca policie, mes tyre një efektive femër si dhe artistë e aktivistë të Teatrit që flasin e bërtasin në mbrojtje të znj. Kalaja. Në vend janë një mjet policie, një mjet civil dhe mjeti i znj. Kalaja. Një situatë kaotike dhe e tensionuar.

Më pas ka qenë vetë znj. Kalaja që ka treguar se çfarë ka ndodhur. Ajo ka thënë se kanë tentuar ta marrin me forcë, duke e tërhequr nga xhami i makinës.
“Nga ky pushtet kriminal them se janë gjëra më se normale. Kur ti denoncon një abuzim, një vjedhje pushtet të vihet pas, nuk kap hajdutin, kriminelin, grabitësin, kap denoncuesin. Ky është rasti më i pastër si shumë raste të tjera, kur kapet dhe intimidohet denoncuesi. Siç e patë edhe vetë, unë iu largova sheshit të teatrit për t’iu bashkuar familjes sime dhe rrethohem nga dy makina, njëra makinë policie, ndërsa tjetra në kundërshtim të plotë me ligjin nga një makinë private. Më thuhet që duam të komunikojmë. Hapa xhamin për të komunikuar pasi i thashë po, po flas me avokatin, në moment që hapa pak xhamin fusin dorën në xham në mënyrë të dhunshme dhe më tërhoqën zvarrë për të më futur në makinën e policisë, për të më shoqëruar në komisariat, në një kohë që kohë që i kërkova disa herë fletën e shoqërimit. Pra, në një shtet demokratik një njeri shoqërohet kundrejt rregullave, me një dokumentacion ligjor zyrtar. Vijnë 6 vetë, të cilët mund të jenë dhe grabitës, mund të jenë dhe pengmarrës, me uniformë policie, ai thotë unë do të shoqëroj në komisariat. Kjo është e patolerueshme. Për fatin tim të mirë, por që nuk mund të ndodhë pafundësisht, erdhët ju dhe më shpëtuat nga banditët por në ditët në vijim jam goxha e kërcënuar, jam goxha e frikësuar. Nuk kam bërë asgjë, nuk kam shkelur ligjin. Kam bërë një denoncim. Ministri Lleshaj para se të merret me denoncuesin duhet të merret me ata që vjedhin ndihmat e njerëzve në nevojë. Kjo është kryesorja”, deklaron Kalaja.

Sa i përket denoncimit të znj. Kalaja Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat deklaroi se pakot ushqimore janë provat e sekuestruara në operacionin e datës 28.11.2019, ku u arrestuan në flagrancë 2 punonjës policie, 1 punonjës i Shërbimit Zjarrfikës, si edhe u proceduan penalisht 2 shtetase. Sipas SHÇBA, me urdhër të Prokurorisë, të gjitha provat materiale të sekuestruara gjatë këtij operacioni janë magazinuar pranë magazinës së Drejtorisë së Përgjithshme të SHÇBA-së, ku është mbajtur proces-verbali përkatës. Drejtoria e Pergjithshme e SHÇBA, e cila po heton rastin konkret i ka zyrat në godinën e Ministrisë së Brendshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb