TIRANE

Në studion e emisionit “A Show” në News 24 me Adi Krastën ishte i ftuar këtë mbrëmje analisti Andi Bushati, i cili komentoi aktualitetin politik dhe figurat kryesore të saj. Duke analizuar kryeministrin Rama, Bushati tha se kërkesa e opozitës për një qeveri provizore është e pamundur, kjo pasi kryeministri, siç tha ai e ka mbështetur pushtetin e tij në tre kolona të fuqishme.

“Qeveria provizore është e parealizueshme sepse Rama ka sot një pushtet të fuqishëm, të mbështetur në tre kolona. Të parët janë oligarkët, e dyta është lidhja me krimin dhe e treta pronarët e mediave. Ky trinom e bën të parrëzueshëm. E vetmja rrugë për tu përballur me Ramën nuk është që kur ha një shpullë t’i kthesh faqen tjetër”,- tha Bushati.

I pyetur nëse goditja e njërit nga ata që etiketohet si oligark (Bashkim Ulaj), a tregon krisje të sistemit oligarkik të Ramës, Bushati është përgjigjur kemi të bëjmë me një putinian pushteti dhe kjo nuk ndikon aspak.

“Unë mendoj që Rama është më tepër pranë një profili putinian pushteti ku Rama vetë bën ose zhbën oligarkë. E mbani mend kur Putini erdhi në pushtet si i shkarkoi të gjithë oligarkët që kishte trashëguar nga Jelcini? Por ama thelbin oligarkik të pushtetit e ruajti po aq të fortë dhe ngriti oligarkë të tjerë”.

Ndërsa duke komentuar partinë kryesore të opozitës, Partinë Demokratike, Bushati tha se ajo duhet të jetë më e hapur. “Sot PD ka konfirmuar që është parti më e personalizuar se sa dje. Kur partitë janë në opozitë duhet të hapen, duhet të jenë më të hapura ndaj shoqërisë. Është shumë e vështirë të thithësh njerëz kur nuk je në pushtet. Opozita për nga natyra duhet të jenë atraktive. Ne kemi opozita që tkurren drejt 1-shit. Nuk duhet të vënë shishen e qumështit dhe të presin në radhë kur të bjerë kundërshtari”,- komentoi Bushati.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: