Qeveria britanike ka nisur një hetim ndaj disa bizneseve të lidhura me Mbretërinë e Bashkuar, të cilët dyshohet se kanë shkelur sanksionet e naftës ruse.
Identitetet e bizneseve nuk dihen por mësohet se disa mund të jenë firma sigurimesh detare, raporton BBC.
Sanksionet financiare ndaj Rusisë u vendosën nga Britania e Madhe dhe vendet e tjera perëndimore pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Sanksionet përfshijnë një kufi mbi çmimin e naftës ruse, i cili i ndalon bizneset britanike të lehtësojnë transportin e naftës ruse të shitur mbi 60 dollarë për fuçi.
Të dhënat e marra nga BBC, duke përdorur ligjet e Lirisë së Informacionit, tregojnë se Thesari ka hapur hetime për 52 kompani me lidhje me Mbretërinë e Bashkuar të dyshuar për shkeljen e kufirit të çmimit që nga dhjetori 2022.
Deri në gusht, hetimet për 15 prej tyre kishin përfunduar, por nuk është vënë asnjë gjobë.