TIRANE- Pas deklaratave të ambasadorit amerikan në vendin tonë, Donald Lu, për “peshqit e mëdhenj”, ka reaguar kryeministri Edi Rama. Në përgjigje të deklaratës së ambasadorit Lu se qeveria dhe policia ka dështuar me mosarrestimin e Klement Balilit, kryeministri tha po punohet për kapjen e tij.

Ai tha se arrestimi i Klement Balilit do të jetë një sukses i madh.

“Ambasadori Lu foli për çështjen e Klement Balilit. Arritja në kapjen e këtij personazhi të botës së krimit është një domosdoshmëri, dhe do të jetë një sukses i madh. Por mos harrojmë se vetëm pak vite më parë ky persin ishte drejtor. I lidhur politikisht, dhe politikisht i promovuar, jo drejtor peshkimi, por drejtor transporti. Dhe sot është në kërkim. Në bashkëpunim me partnerët, ai do të kapet”, tha kryeministri Rama.

Sakaq, kreu i qeverisë ka reaguar sërish ndaj akuzave të PD për përfshirjen e vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.

“Sot ne jemi frontalisht të vendosur, dhe për këtë arsye në shikojmë deri në shfaqje të pabesueshme të lidhjes së krimit me politikën. Ministri i Brendshëm u vu në një sulm që diskreditonte luftën ndaj krimit të organizuar. Në Shqipëri, shqiptarët nuk mund ta hanë atë lloj teatri, por të huajt që marrin raportin ku shkruhet audio-përgjim ku shfaqet vëllai i ministrit duke diskutuar sasitë e drogës me trafikantët, nuk ka as kohë, e as dëshirë si është e vërteta, po i bie shkurt të thotë ‘ja kjo është Shqipëria’. Dhe unë e konsideroj atë një nga shfaqjet më shembullore të bashkëpunimit të politikës me krimit për të goditur gjithë trupëzimin e shtetit kundër krimit. Nuk shoh asnjë arsye tjetër që një parti politike të bashkëpunojë me persona që kanë hyrë e kanë dalë nga burgjet si turistë nëpër hotele për të inskenuar një film me personazhe të interpretuara tjetër për tjetër nga sa ata janë. Dhe jam i bindur se këtë çështje prokuroria do ta zbardhë deri në fund”, u shpreh kreu i qeverisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb