Nga Ola Mitre*-TIRANE-Në moshën 15-vjeçare ajo u bë nënë për herë të parë, ndërsa pas 5 vitesh lindi dhe vajzën e vogël. Kushtet në të cilat jetonte nuk i mundësuan të shkonte në shkollë e për pasojë nuk di të shkruajë e lexojë, por për vajzën e saj 8-vjeçare dëshiron të kundërtën. Familja e Emanuela Dakos jeton në një dhomë që nuk i kalon 10 metra katrorë, në zonën e Selitës, e gjithsesi, ata janë munduar të mos ia shtrijnë dorën kujt e të ecin përpara. Por, lajmi se streha në të cilën burri i saj jeton prej 29 vitesh do të shembet për shkak të ndërtimit të Unazës së Madhe në kryeqytet ka prishur ekuilibrat e familjes.

“Nuk kemi ku të shkojmë po na prishën shtëpinë. Burri një ditë punon, një javë nuk punon, se me hekura merret, ndërsa unë s’kam ku të punoj, se as emrin tim nuk di të shkruaj. Po më prishën shtëpinë, edhe gocën do e nxjerr nga shkolla. Ajo më thotë ‘o mami ku do shkojmë?’ sepse e ka me shumë qejf shkollën”, shprehet Emanuela, ndërsa me lot në sy kërkon që shteti të gjejë një zgjidhje për të mos i lënë rrugëve. Kjo familje nuk është e vetmja që do t’u prishet banesa si pasojë e ndërtimit të Unazës së Madhe. Janë 70 familje, të cilat kryesisht i përkasin komunitetit rom, që prej disa javësh janë vënë përballë ‘kërcënimit’ për të boshatisur shtëpitë e tyre. Ndërkohë që, përveç ultimatumeve të ardhura nga inspektorët e ndërtimit, asnjë institucion shtetëror nuk është interesuar e aq më pak të ofrojë një zgjidhje financiare.

Në Selitë
Banesat që do të preken nga plani urbanistik, i ndan një rrugë me gropa. Kryesisht janë shtëpi një ose dykatëshe e në to jetojnë rreth 300 pjesëtarë të komunitetit rom. Aktivistja që na shoqëron, na tregon se pjesa dërrmuese jeton në varfëri ekstreme, por pavarësisht kësaj ‘janë të lumtur, se të paktën kanë ku të flenë në mbrëmje’. Sapo mësojnë se kush jemi, përpiqen të tregojë historinë e familjes, ndërpresin njëri-tjetrin për të treguar se kush vuan më tepër, ndërsa dëshpërimi e indiferenca e institucioneve shtetërore i rëndon edhe më tepër. “E kam ngritur me kredi këtë shtëpi, me sakrifica. Kam dalë dhe me vijë të zezë në bankë sepse nuk e shlyeja dot kredinë. Burri punon në të zezë, herë ka, herë s’ka. Jam bërë edhe gjyshe, kam një nip dhe një mbesë, jam vetë i 7-të në shtëpi. Tani na thonë ‘ikni, dilni në rrugë'”, tregon një grua me emrin Nertila.

Shpronësimi
Prishja e banesave ka nisur. Shumë prej tyre janë hedhur përtokë, ndërsa kanë ngelur vetëm gërmadhat. Banorët tregojnë se pronarët e tyre u shpronësuan e për pasojë nuk bënë asnjë lloj rezistence gjatë aksionit. Ndërkohë që, për rreth 50 familje të tjera nuk ka asnjë sinjal për shpronësim në interes publik. Skandali thellohet edhe më tej, në momentin që banorët na vënë në dispozicion një listë të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, e më konkretisht të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse, Sektori i Shpronësimeve. Kjo listë, e cila është publikuar edhe në media në datën 27 prill të vitit 2013, u njeh këtyre familjeve të drejtën e shpronësimit. Po ashtu, lista përmban edhe shumat përkatëse që iu takojnë për shkak të ndërtimit të Unazës së Madhe në zonën ku janë vendosur banesat e tyre. Por duket se qeveria aktuale nuk e ka marrë aspak parasysh këtë listë, duke qenë se deri më tani një pjesë shumë e madhe e tyre nuk kanë marrë asnjë lek. Përveç kësaj, banorët tregojnë se javën e kaluar u gjendën nën kërcënimin për të boshatisur gjithçka, por për shkak të protestave të organizuara para Kryeministrisë aksioni u shty. E përballë indiferencës institucionale, mungesës së shpronësimit, që iu është njohur me ligj, dhe pamundësisë ekonomike, këto familje ‘ulërasin’ për një zgjidhje. Deri më tani, protestat para Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Rrugor, ALUIZNI-t e Ministrisë së Transporteve kanë rënë në vesh të shurdhër. E përtej historive e vuajtjeve të këtyre familjeve, Bashkimi Evropian është shprehur qartë: çështja rome është kusht për integrimin!

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: