Qeveria Mitsotakis vijon punën me shpejtësi të jashtëzakonshme, vetëm pak ditë pas ardhjes në pushtet. Në takimet e para me ministrat e sapoemëruar, kryeministri Mitsotakis ishte mëse i qartë se nuk ka vetëm objektiva, por edhe raportim të vazhdueshëm, për rezultate të menjëhershme.

Në këtë kuadër, duke patur dhe vëmendjen e vazhdueshme të medias ndërkombëtare, me lajme kryesore për çdo vendim të qeverisë së parë greke të pas memorandumeve, parashtrohet dhe një realitet krejt i ri për emigrantët dhe refugjatët e shumtë në vend.

Nuk përbën surprizë fakti se politikat liberale dhe humane të SYRIZA i përkasin tashmë të kaluarës së afërt. Por qeveria e djathtë konservatore ka tejkaluar çdo parashikim, shpresojmë në një përpjekje për të impresionuar fillimisht e jo në një plan të plotë të mandatit 4-vjeçar.

Kryeministri Mitsotakis, në një risi për të dhënat europiane, unifikon ministrinë e  Mbrojtjes së Qytetarit me portofolin e ministrisë së Emigracionit. Lind pyetja, tashmë emigrantët dhe refugjatët do të mbrohen apo do të japin llogari? Ish-kryeministri Aleksis Cipras ka komentuar sot në mbledhjen e Komisionit Qendror të SYRIZA se “një bashkësi të tillë as Italia e Salvini nuk e ka bërë” duke shtuar se po rrezikohen thellë shanset e ofruara nga qeveria e tij, me sakrifica por edhe duke vënë drejtësi për shtresat e varfra dhe emigrantët e refugjatët.

Paralelisht, ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Janis Vrutsis, anullon urgjentisht shtesën ligjore të SYRIZA për lëshimin e numrit AMKA – numër social i domosdoshëm me të cilin pajisen të gjithë banorët e vendit në çdo moshë, pa përjashtim. Pa AMKA nuk figuron, thjesht nuk ekziston! SYRIZA, në pamundësi të ndryshimit të ligjit kushtetues për numrin AMKA, miratoi një amendament të posaçëm për pajisjen e refugjatëve që kanë mbytur brigjet e Greqisë vitet e fundit, me këtë numër social. Zgjidhje apo shans për integrimin gradual në Europë, me një dokument identifikimi, i domosdoshëm sidomos për sa paraqiten në autoritetet greke pa pasaportë apo letërnjoftim. Ministri Janis Vrutsis jo vetëm e anulloi sapo kaloi pragun e ministrisë, por ka deklaruar sot në twitter se “Greqia nuk është “han” të hyjnë e dalin sa u do qejfi” dhe se do të shqyrtohen të gjitha rastet me kujdes. Në një tjetër deklaratë, ministri Vrutsis ka bërë të ditur se azil politik do të marrin vetëm sa plotësojnë kushtet, të tjerët do të kthehen masivisht në Turqi.

Sot, ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Mihalis Chrisohoidis ndodhet në kampin famëkeq në Moria të ishullit Mitilini, ndërsa zv/ministri për çështjet e Emigracionit ka vizituar dje një tjetër kamp refugjatësh në ishullin Samos, për të evidentuar personalisht problematikat e mëdha dhe më tej të zbatohen masat urgjente, gjithnjë në kuadrin e politikës së “Demokracisë së Re”.

Nuk janë prekur akoma çështjet e emigrantëve ekonomikë, ku përfshihen dhe shqiptarët, por legalizimi si dhe nënshtetësia greke për aplikantët apo brezin e dytë të lindur e rritur në Greqi, mbeten procese të hapura, shumëvjeçare. Me shumë interes, komuniteti shqiptar e i huaji në përgjithësi mbeten në pritje të drejtimit dhe ecurisë që do u jepen nga formati i ri qeveritar i Kyriakos Mitsotakis.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb