Qeveria e re greke e kryeministrit, Kyriakos Mitsotakis nuk do të ndryshojë politikën e jashtme dhe evropiane. Gjatë kohës në opozitë Mitsotakis kundërshtonte Marrëveshjen me Shkupin. Po tani?


“Më pak tatime dhe më shumë investime”, ka premtuar Kyriakos Mitsotakis gjatë fushatës parazgjedhore. Politikani konservator ka premtuar se më së largu në gusht do të nxjerrë në parlament një propozim për tatime. Mbështetësit e tij u gëzohen shkurtimeve të tatimeve. Por a do të kthehet gjendja e para krizës së borxheve? “Me siguri jo”, thotë eurodeputeti Jorgos Kyrtsos. Në Greqi nuk priten befasi të pakëndshme nga Mitsotakisi. Kryeministri do të zvogëlojë së pari të dhënat e shtetit e më pas priten hapa që mundësojnë përmirësimin e gjendjes në vend, thotë Kyrtsos për DW.


Greqia në gusht të vitit 2018 ka dalë prej programit ndërkombëtar të shpëtimit financiar. Por mbikqyrja mbetet. “Mbikqyrje e ashpër”, është koncepti aktual. Kjo do të thotë se çdo tre muaj Komisioni i BE vlerëson gjendjen në këtë vend, që siguron vazhdimin e reformave. Javën që vjen kreu i Fondit për Shpëtimin, Klaus Regling do të takohet me kryeministrin e ri në Athinë. Mediat greke bëjnë të ditur se Mitsotakis do të pritet në Berlin nga kancelarja Merkel në fund të gushtit. Deri atëherë duhet të sqarojë gjërat rreth programit të tij qeveritar dhe duhet të paraqesë rezultatet e para. Për vazhdimin e reformave flet edhe fakti, se ai ka emëruar politikanin e qetë, Christos Staikouras në postin e ministrit të Financave, thotë Kyrtsos.


Raportet me Turqinë
Edhe ministri i ri i Jashtëm Nikos Dendias do të ketë shumë punë. 60 – vjeçari konsiderohet si një politikan i besueshëm por i gatshëm të marrë vendime të rënda. Si ministër i Drejtësisë ai ka nisur para vitesh proceset gjyqësore kundër neonazistëve të partisë “Agimi i Artë”. Tani ai do të përballet me vështirësi në raporte me Turqinë, për shkak të grindjeve rreth ujërave të Qipros. “Tendosjet mes këtyre vendeve do të vazhdojnë”, thotë Thanos Dokos, drejtor i organizatës ELIAMEP. Ai mendon se Greqia do të vazhdojë raportet e mira me Qipron, Egjiptin dhe Izraelin. Ndërkohë që afrim ka edhe me Jordaninë.

Dokos nuk beson se mund të ketë mosmarrëveshje të reja në Egje. Kjo mund të ndodhë vetëm, nëse Turqia ndërmerr hapa të tjerë në drejtim të territoreve greke. Gjatë vizitës së Kyriakos Mitsotakisit në Qipro do të dihet më shumë. “Tradicionalisht çdo kryeministër i ri grek së pari udhëton në Qipro”, thotë Dokos.

“Maqedonia e Veriut” nuk do të kundërshtohet
Me tundje koke janë pritur në shumë qendra evropiane qëndrimet e konservatorëve kundër marrëveshjes mes Shkupit dhe Athinës për emrin e Maqedonisë së Veriut. Me këtë marrëveshje Greqia ka normalizuar raportet me vendin fqinj në veri dhe ka hapur rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Në kohën sa ishte në opozitë, Mitsotakis fliste kundër marrëveshjes, por duke lënë të hapur mundësinë e repsektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, sepse rrugë tjetër nuk ka. Po tani?

“Për shkaqe të brendshme politike Mitsotakisi duhet të jetë më i zëshëm”, beson Thanos Dokos. Por ai do ta respektojë këtë marrëveshje. Dokos beson se kryeministri i ri do të jetë më i përkushtuar ndaj Evropës, por me një rol më aktiv të Greqisë – në veçanti kur bëhet fjalë për politikën e sigurisë në Evropë. /DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb