Nga: Ejola Jata*

TIRANË- Refreni i qeverisë në programin e saj elektoral ka qenë ulja e TVSH-së për turizmin mes shumë premtimeve të tjera. Por duket se pas tre paketash fiskale të prezantuara edhe pse turizmi cilësohet si prioritet kjo mbetet vetëm në kuadrin e fjalimeve sepse konkretisht TVSH-ja ka mbetur e njëjtë 20%, aq sa është aktualisht, duke dëshmuar se në betejën e argumenteve mes FMN-së dhe qeverisë për çarjen e sistemit të TVSH-së për turizmin, fitoi fondi Monetar Ndërkombëtar.

Kjo e ka lënë Shqipërinë ndër më jo konkurrueset në rajon pasi vendet e tjera kanë një TVSH më të ulët për këtë sektor. E ajo që është më e çuditshme është fakti që çdo vit një nga anëtarët e qeverisë premton ulje dhe rezultati është zero. Më i fundit që e tha me bindje që edhe për turizmin do të ketë zhvillime duke nënkuptuar ndonjë “lëvizje” në politikat fiskale me impakt direkt ishte ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj. Në konferencën e përbashkët me FMN, Ahmetaj tha i bindur që po ka ndryshime edhe për turizmin.

“Nuk ka rritje taksash ka ulje taksash edhe turizmi meqë është një nga sektorët më të rëndësishëm dhe fantastik që prodhon shumë rritje do shërbehet me ulje”,- tha Ahmetaj.

Por ja që faktet janë ndryshe. Paketa e fundit fiskale nuk ka asnjë nismë për uljen e TVSH së turizmit. Gjithsesi kjo shmangie e qeverisë nga program i vet i premtimeve është i kuptueshëm kur asnjë lëvizje nuk bëhet pa bekimin e FMN-së e cila ka qenë kundër përshkallëzimit. Ajo që mbetet të pritet është paketa e vitit 2017 e cila do të jetë e fundit e mandatit katërvjeçar të qeverisë dhe mundësia e fundit për të mbajtur premtimet e bëra.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: