TIRANE- Qeveria i ka dhënë një shumë prej 5 milionë lekësh familjes së policit Ardian Kodra, i cili mbeti i vrarë pas një aksioni për kapjen e një personi me probleme mendore.

Vendimi u mor sot në Këshillin e Ministrave. Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 shator, në Torovicë të Lezhës. Autori i krimit, David Qosja pas një rezistence ndaj policisë, qëlloi me armë ndaj bluve, duke vrarë efektivin. 50-vjecari, i martuar dhe me dy fëmijë, prej 20 vitesh ishte pjesë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

VENDIM PËR DHËNIE NDIHME FINANCIARE FAMILJES SË INSPEKTOR ADRIAN HALIL KODRA, ISH-PUNONJËS POLICIE, I VRARË NË KRYE TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
1.Dhënien e ndihmës financiare, prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, familjes së inspektor Adrian Halil Kodra, ish-punonjës policie në Repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë, Shkodër, i vrarë në krye të detyrës.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: