TIRANË-Vëllai e deputetit socialist Parid Cara është përfitues i 80 hektarëve toke shtetërore në Paskuqan.

Ka qenë një vendim i Majit të këtij viti nga qeveria shqiptare, ai që ka përcaktuar se 80 hektarë tokë, do i kalojnë për administrim kompanisë “VEBO Invest”, ndërsa kjo e fundit presupozohet se do të nisë aty ndërtimin e një varreze private, citon portali ‘Hashtagalbania’.

Në kompaninë “Vebo Invest” rezultojnë bashkëpronarë dy shtetas italianë së bashku me vëllain e deputetit socialist Parid Cara, shtetasi Besim Cara.
Me firmën e kryetarit të qeverisë, Edi Rama, është autorizuar Ministria e Zhvillimit Urban e drejtuar nga Eglantina Gjermeni, për të lidhur kontratën me këtë kompani.

Portali shprehet se kërkoi informacion pranë kësaj ministrie disa ditë më parë por ministria nuk ofroi informacion në lidhje me këtë kontratë.
Duket se ka qenë kompania private ajo që ka bërë kërkesën tek Ministria e Zhvillimit Urban për shfrytëzimin e 80 hektarëve tokë në Paskuqan për ndërtimin e varrezës private.
Më pas ministria ka ndryshuar ligjin “Për Shërbimin Publik të Varrezave” ku me ligj është dhënë hapësira për operimin e kompanive private në këtë shërbim.

Pasi është bërë gati dhe ligji, ministria i ka kërkuar leje në Këshillit të Ministrave për të lidhur kontratë me kompaninë e vëllait të deputetit socialist Parid Cara.
Por ka ende aspekte të rëndësishme të pazbardhura sidomos mbi mënyrën e operimit të kompanisë dhe përfitimit monetar.

Në ndryshimet ligjore që ka bërë qeveria në ligjin “Për Shërbimin Publik të Varrezave” këto lloj kontratash nuk konsiderohen si koncesione, por si kontrata ekskluzive, madje ky ligj përcakton se këto kontrata mund të përfitohen pa garë dhe pa tender.
Por gjithsesi ato mbeten kontrata publike dhe në rastin konkret bëhet fjalë për shfrytëzimin e plot 80 hektarëve tokë publike në periferi të Tiranës dhe kalimi i këtij shërbimi tek vëllai i një deputeti socialist duket si një konflikt interesi flagrant dhe favorizim.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb