Këshilli i Ministrave ka miratuar amnistinë e propozuar nga Ministria e Drejtësisë për të burgosurit. Rreth 1000 të burgosur pritet të lënë qelitë, ndërsa 3000 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.

“Kjo amnisti bazohet në të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të individit, si dhe niset nga arsyet social-ligjore të humanizmit, riintegrimit social, rehabilitimit social, ndyshimeve pozitive në jetën e të dënuarve, arritjes së standardeve evropiane në sistemin penitenciar si dhe legjitimitetit të duhur kushtetues-ligjor në vendet e vuajtjes së dënimit,” tha Ministri Manjani.

News 24 e BalkanWeb disponojnë projektligjin për dhënie amnistie që Ministria e Drejtësisë depozitoi në kuvend.

Në nenin tre të këtij pr/ligji është përcaktuar kategoria e të dënuarve që përfitojnë.

Amnistohen personat e dënuar me vendim të formës së prerë më burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 31 dhjetor si dhe ata të dënuar që u ka mbetur pa vuajtur nga dënimi deri në 2 vjet.

Gratë e dënuara në ose mbi moshën 55 vjeç përfitojnë gjithashtu. Përfitojnë të dënuarit meshkuj 60 vjeç ose ne këtë moshë, 18-vjeçarët që kanë kryer vepra të lehta penale si dhe të dënuarit me dëmtime të përhershme fizike ose sëmundje të rënda të pashërueshme.

Në draft përjashtohen ata që kanë kryer vepra të rënda penale, si vrasje, pengmarrje, vepra me qëllime terroriste, falsifikime, ata që kanë kryer vepra kundër moralit, familjes, fëmijëve, të dënuarit për krim të organizuar dhe banda kriminale.

Nuk përfitojnë ata që kanë kryer krime seksuale, vepra penale kundër drejtësisë, kundër autoritetit të shtetit etj…Nuk do përfitojnë gjithashtu dhe ata që janë dënuar për vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.

Nuk përfitojnë nga kjo amnisti edhe personat të cilët i janë shmangur drejtësisë si dhe ata që janë dënuar, por ekzekutimi i dënimit është pezulluar me kusht nga gjykata…Nuk përfitojnë nga kjo amnisti përsëritësit e të njëjtës vepër penale.

Pushohen gjithashtu çështjet penale ende nën hetim ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2016, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet, ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb