Eksperti Kujtim Hoxha ka qenë sot në studion e News24 për të folur për çështjen e pensioneve. Hoxha e cilësoi lëmoshë shpërblimin 100-150 mijë lekë për pensionistët dhe theksoi se do ishte mirë që kjo shumë të ishte shtesë e pensionit. Sipas tij, qeveria i merr 420 mijë lekë në vit një pensionisti përmes TVSH-së.
“Unë prisja që qeveria të bënte më shumë për pensionin, jo për shpërblimet. Do ketë rezerva ende për të ardhmen. Çfarë ka ndodhur me këtë shpërblim 100 dhe 150 mijë lekë? Gjatë vitit si gjithë qytetarët janë pjesë e konsumit, të harxhimit si dhe të shërbimeve në fusha të tjera, që i bie si skaji fundor i përdorimit të produkteve të cilat janë të ngarkuara me TVSH. Krahas produkteve ai blen dhe TVSH-në, një taksë te pensionisti. Për një pensionist me 180 mijë lekë, shteti merr 420 mijë lekë në vit dhe i kthen 100 dhe 150 mijë lekë. Kjo nuk është e drejtë. Tani duket sikur i shpërblen. Do ishte e drejtë, dinjitoze që ta bënte pjesë të pensionit, të mos dukej si lëmoshë”, tha Hoxha.
Ai më tej iu është përgjigjur shqetësimeve të disa pensionistëve.
Qytetari: Kam aplikuar tek e-Albania për të marrë vitet e pensionit. Mua më kanë nxjerrë vitet mangët, një ndërmarrje, nuk mi nxjerr 8 vite punë. Kam punuar në muze e kudo.
Hoxha: Çdo individ që ka plotësuar moshën sipas nenit 92 të sigurimeve shoqërore ka të drejtë të aplikojë për pension të pleqërisë. Deri në 30 prill 2022 ishte detyrim i individit për t’i mbledhur dokumentet, për t’i grumbulluar, me vënien në funksion të e-albania është detyrim i administratës shtetërore për t’i grumbulluar. Janë disa rubrika që duhen plotësuar, por mjafton deklarimi. Pastaj mbetet detyrë e administratës që t’i gjejë. Në rastin konkret ndërmarrje banesash në Tiranë, duhet të bëjë rishqyrtim të pensionit, nëse i ka dalë pensioni i pjesshëm për vjetërsinë në punë. Ndërkohë i lind e drejta që këtë ta kërkojë, në rast se nuk e ka në regjistrin themeltar, shikohen borderotë, libri i pagave.
Qytetarja: Jam një qytetare nga Tirana kam dalë në pension dhe më mungojnë 4 muajt e parë të 2005. Kam qenë në punë, pa shkëputje. Kam bërë kërkesë për rishqyrtim pensioni dhe më është kthyer përgjigje që të merret dokumentacioni pranë shkollës. Ku mund t’i gjej unë këto?
Hoxha: Kjo është një periudhë që nuk ka ndodhur diçka e pazakontë, djegie apo diçka e tillë. Është detyrë e sigurimeve shoqërore për të gjetur dokumentacionin. Është një problem i madh nga 1994 mungojnë 900 mijë listë pagesa që qytetarët kanë paguar kontributet. Nëse qytetarja me librezën e punës që ka bën riaplikim, administrata e sigurimeve shoqërore duhet t’i marrë parasysh se janë paguar këto 4 muaj sipas pagës minimale.