NGA VJOLLCA KONGJONI*

TIRANË- Regjistrimi i pronave është një problem që vijon ende të mbetet i pazgjidhur. Aktualisht 80% e pronave në vend rezultojnë në letër dhe nuk janë hedhur akoma në sistem dixhital. Për të zgjidhur këtë problem qeveria ka kërkuar një kredi prej 45 milionë dollarësh tek Banka Botërore që do të shkojnë për projektin për menaxhimin e integruar të tokës.

Në dokumentin zyrtar të firmosur nga zëvendës ministri i Financave Erjon Luci, ministrja e inovacionit Milena Harito dhe kreu i Hipotekave Ilirjan Muho dhe dërguar Bankës Botërore, qeveria shpjegon edhe objektivat e kësaj kredie të re.

Projekti do të ketë në fokus gjashtë objektiva. Së pari do të krijohet një sistem dixhital i regjistrimit të pronave, një strukturë e përmirësuar institucionale që do të shkojë paralelisht me sistemin e ri, lehtësim i burokracive dhe thjeshtimi i procedurave për shit-blerjet në tregun e pasurive të paluajtshme.

Objektivi tjetër do të synojë qasjen ligjore dhe të praktikave me ato të BE. Por risia e këtij projekti të paraqitur pranë Bankës Botërore është taksimi i pronës sipas një modeli të ri ku pasuritë e paluajtshme do të taksohen sipas vlerës reale të tyre dhe jo me vlerën fikse sipas metrave katrorë.

Fillimisht për zbatimin e sistemit të ri të taksimit do të aplikohet një projekt pilot në disa bashki për tu shtrirë më tej në të gjithë vendin. Në dokumentin e dërguar pranë BB, thuhet se projekti i ri do të vijojë sipas atij të mëparshëm LAMP i cili pas disa viteve vonesash dhe problemesh në zbatim, përfundoi vitin e kaluar dhe u regjistruan online vetëm 10% e pronave. Kërkesa e paraqitur për këtë kredi është bërë në fillim të prillit të këtij vitit ndërkohë që pritet të marrë përgjigje nga Bordi ekzekutiv i BB brenda mesit te shtatorit të vitit të ardhshëm.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/05/kerkesa-per-kredi-BB.pdf” viewer=”google”]

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: